Man Utd po synon të përfitojë nga klauzola e çuditshme e Araujos për ta sjellë në ‘Old Trafford’

Ronald Araujo mund të largohet nga Barcelona këtë verë pavarësisht se nënshkroi kontratë të re në fillim të vitit 2025.

Reprezentuesi uruguaian dukej e sigurt që do të largohej nga Katalonia për t’u transferuar tek Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, por pas një bisede me trajnerin Hansi Flick dhe një kontrate të re nga drejtori sportiv Deco, ai ndryshoi mendjen. 

Pas disa javësh negociatash me përfaqësuesit e tij, një marrëveshje u arrit eventualisht dhe ai rinovoi me liderët e La Ligas deri në vitin 2031. 

Kjo dukej se do t’i japë fund spekulimeve të shumta se do të shitet, mes thashethemeve se klubi dëshiron ta largojë atë për ta pasur më të lehtë të bëjnë blerje të reja. 

Sidoqoftë, pjesa e dytë e sezonit ka ndryshuar pozicionin e tij sërish, me Pau Cubarsin dhe Inigo Martinez që janë bërë titullar të padiskutueshëm në formacionin e Flick. 

Araujo është i frustruar nga mungesa e minutave, pavarësisht se ka luajtur një pjesë të mirë të ndeshjeve, sidomos duke marrë parasysh Barcelonën që po lufton në tri fronte. 

Kjo mund të rihapë derën e largimit pasi kontrata e re e Araujos përfshin një klauzolë lirimi prej 1 miliardë eurosh, por me një klauzolë emergjence prej 65-70 milionë eurosh. 

Këtë klauzolë të përkohshme klubet mund ta aktivizojnë vetëm nga 1 korriku deri me 10 korrik dhe pastaj vlera e saj do të rikthehet sërish në 1 miliardë. 

Kjo klauzolë ka bërë që Manchester United ta ringjallë interesimin e saj pasi Ruben Amorim thuhet se është fans i madh i Araujos dhe e sheh atë si një lider të mbrojtjes në ‘Old Trafford’.