Maloku: Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ngritë nga poshtë-lartë, nuk ka pas urdhra

Dëshmitari Naim Maloku deklaroi të hënën në Hagë se vetëm një urdhër e ka marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe ka pasur pikërisht të bëjë me transferimin e tij në Zonën Operative të Dukagjinit.

“Urdhrin e parë që e kam marrë nga një autoritet në Shtab të Përgjithshëm është urdhri kur kam lëvizë nga Drejtoria Operative në Shtabin e Përgjithshëm në Drejtorinë Operative në Zonën e Dukagjinit. Kjo ka ndodhur në janar të 1999-ës. Pra, urdhri i vetëm që unë e kam marrë. Unë i kam thënë edhe ZPS-së nuk mundeni me i kuptu këto. Është e vështirë”, tha dëshmitari.

Po ashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se UÇK-ja ka qenë strukturë e formuar nga fshatrat, pra me sistemin nga poshtë-lart, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ngritë nga poshtë-lartë. Nuk ka pas urdhra. Ka pas votime me gisht, propozime, pajtime që Naim Maloku me qenë zëvendëskomandant. Pajtime që Ramush Haradinaj me qenë komandant zone. Nuk ka pas urdhra. Ka pas ndërtim të strukturës nga lartë-poshtë”, tha Maloku.

Ai tha se ka dashur që UÇK-ja të institucionalizohet në mënyrë që të ketë institucion dhe për një ushtarak si ai më lehtë do të ishte që të kishte urdhra nga lartë dhe të caktohen detyrat sesa ashtu siç ka qenë.

Më pastaj, dëshmitari e riformuloi përgjigjen e tij, duke thënë se as urdhër s’ka qenë transferimi i tij, por është pyetur nëse është i pajtimit të shkojë në Zonën Operative të Dukagjinit.

Dëshmitari theksoi se kur është kyçur në UÇK nuk ka pasur udhëheqës dhe është marrë kryesisht me mundësitë e tij në ushtrimin dhe trajnimin e ushtarëve të rinj dhe pa përvojë.

“Nuk kishim linja raportimi-komandimi. Ishte populli duke u vetorganizu. Ishin tanë vullnetarë. Vullnetarisht vinin nga fshatrat e tjerë me u trajnu dhe pastaj me shku me i marrë armët dhe me e ngritë pastaj shtabin e fshatit”, tha dëshmitari.

Sipas tij, kur është kyçur në UÇK, s’kishte as komandë.

“Ushtria Çlirimtare ngrihej nga poshtë, nga fshatrat. Unë ndihmoja me u organizu shtabet”, tha ai.