Malishevë: Shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkaku i vërshimeve

Komuna e Malishevës ka njoftuar për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha institucionet arsimore, përfshirë edhe çerdhet për fëmijë.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, vendimi është marrë bazuar në parashikimet e Institutit Meteorologjik të Kosovës për përkeqësim të motit, si dhe në gjendjen e rënduar në terren në komunën e Malishevës, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve që kanë përfshirë pothuajse të gjitha vendbanimet.

“Ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më datën 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga kjo drejtori, po ashtu u bë e ditur se institucionet arsimore do të mbahen të informuara në vazhdim për të gjitha rrjedhat e përgatitjeve për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.

“Ditët e humbura do të kompensohen gjatë muajve në vijim, kur të kemi mot të qëndrueshëm dhe të mirë”, thuhet më tej në njoftim.

Vendimi vlen për të gjitha shkollat dhe institucionet parashkollore në territorin e Komunës së Malishevës.