Maliqi: Zhagitja e Kurtit është e qëllimshme, opozita duhet të veprojë para shpërbërjes së Kuvendit

Njohësi i politikës, Agon Maliqi, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, duke kritikuar mungesën e përpjekjeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të formuar një shumicë pas mandatimit nga presidentja Osmani.

Në një postim në rrjete sociale, Maliqi ka theksuar se ka kaluar një javë nga momenti kur Kurti mori mandatin për ndërtimin e shumicës, por deri më tani nuk është parë asnjë përpjekje konkrete në këtë drejtim.

“A nuk po ju lë përshtypje që ai as nuk po mundohet me kriju qeveri, dhe nuk po e jep asnjë sinjal për diçka të tillë? Bile paska gjetë kohë me shku deri në Holandë, edhepse ka afat një javë para se topi me i kalu partisë së dytë,” ka shkruar Maliqi.

Ai ka shtuar se tashmë është bërë e qartë se vonesat që nga muaji shkurt kanë qenë të qëllimshme. Sipas tij, me gjasë vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa opozita duhet të ndërmarrë hapa të domosdoshëm përpara se Kuvendi të shpërndahet.

“Meqë po shihet se po shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, e pakta që partitë e ish-opozitës mund ta bëjnë para shpërbërjës së këtij kuvendi është votimi i një qeverie teknike, i buxhetit 2026 si dhe miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë mbetur peng,” ka theksuar Maliqi.