Maliqi: Vendimi i SHBA’së për viza s’lidhet me ato turistike, por me imigrantët e 75 vendeve që përfituan ndihma

Analisti politik, Agon Maliqi, tha se ka keqkuptime në publik mbi vendimin e SHBA-së për të ndaluar procedurat për procesimin e vizave imigruese për 75 vende, përfshirë edhe Kosovën.

Ai tha se ky vendim s’i prek vizat turistike apo ato afariste dhe se kriteri i përzgjedhjes së këtyre vendeve nuk është politik, por ka të bëjë me vendet, imigrantët e të cilëve ishin përfitues të ndihmave sociale.

“Vazhdon të ketë keqkuptime mbi vendimin e djeshëm të SHBA për vizat. Së pari, ai ka të bëjë vetëm me vizat e imigracionit (pra për ata që ia kanë mësyrë të jetojnë atje) dhe jo për vizat normale turistike apo afariste për vizita të shkurtra. Së dyti, kriteri i përzgjedhjes së shteteve nuk është politik, por lidhet me të dhënat (të botuara para disa ditësh edhe në mediat tona) se imigrantët prej këtyre 75 shteteve janë përdorues të lartë të ndihmave sociale (e të cilët qeveria e djathtë e Trump i sheh si abuzues). Ka shumë tregues të tjerë që mund të përdoren si shembull i problemeve në marrëdhëniet dypalëshe, por jo ky i vizave”, tha Maliqi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ditë më parë ka publikuar listat e imigrantëve që përfitojnë ndihma sociale nga SHBA-ja. Në këtë listë, në mesin e shumë shteteve ndodhen edhe kosovarët, ku 46.0% e tyre janë përfitues të këtyre ndihmave.

Përveç Kosovës, në mesin e 75 vendeve që u ndalua procesimi i vizave është edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut./Express/