Maliqi: Duket se synimi i VV-së është të mbajë presidencën peng me ushtrues detyre

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, pasi që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka nxjerr dekret për shpërndarjen e Kuvendit.

Maliqi, duke komentuar çështjen e afateve 30 ditore, dhe atë, 60 ditore, ka thënë se ‘’nuk e kupton’’ se si mundet që data e fillimit të procesit 60 ditësh të ketë më shumë peshë se afati shumë specifik për zgjedhjen e presidentit.

Maliqi po ashtu ka deklaruar se ”duket” që synimi i VV’së është të mbajë ”presidencën peng me ushtrues detyre”.

Postimi:

Nuk jam jurist, dhe Gjykata Kushtetuese do ta sqarojë këtë gjë. Por nuk e kuptoj se si mundet data e fillimit të procesit 60 ditësh të ketë më shumë peshë se afati shumë specifik për zgjedhjen e presidentit. Afati ekziston për një arsye madhore: që të sigurohet pa ndërprerje vazhdimësia institucionale e kreut të shtetit. Procesi është mjet për arritjen e këtij synimi.

Me këtë logjikë procedurale, partia e parë – të cilës automatikisht i takon kreu i Kuvendit – mundet pafundësisht ta mbajë presidencën peng me ushtrues detyre. Gjë që edhe duket të jetë synimi i kësaj partie që nuk do të ndalet deri sa ta ketë nën kontroll të plotë çdo institucion, prej shoqatës së gjuetarëve e deri te bashkësitë lokale.