Presidenti i Malit të Zi përkujton viktimat e Murinës dhe bën thirrje për paqe në rajon në përvjetorin 26-të të bombardimeve të NATO-s.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka përkujtuar viktimat në fshatit malor të Murinës, ku u vranë gjashtë civilë, përfshirë tre fëmijë, në përvjetorin e 26-të të bombardimeve të NATO-s kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.
“Jetët e humbura dhe shkatërrimet e luftës na kujtojnë se politika e paqes, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit nuk ka alternativë dhe se vetëm një qasje e tillë garanton stabilitetin dhe përparimin e shtetit dhe rajonit tonë”, ka shkruar presidenti malazez në platformën “X” të hënën, duke theksuar rëndësinë e reflektimit mbi të kaluarën.
“Është detyra jonë të ruajmë kujtimin për të gjitha viktimat e pafajshme të bombardimeve, në Murinë, por edhe të kontribuojmë së bashku për një të ardhme më të sigurt për qytetarët tanë, në mënyrë që e kaluara tragjike të mos përsëritet”.
Ndryshe, dhjetë raketa të NATO-s goditën një urë në lumin Lim afër kufirit me Kosovën në vitin 1999. NATO e konsideroi urën si një ‘objektiv ushtarak’ sepse besohej se ishte një nga rrugët kryesore për ushtrinë serbe të stacionuara në Mal të Zi.
E ndërhyrja humanitare e NATO-s më 24 mars 1999 konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës ushtarake përgjatë historisë, përkundër se përbente rastin e parë që NATO ndërhynte në territorin evropian. Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë e Malin e Zi përfunduan pas 78 ditëve, ndërsa lufta në Kosovë pas 14 muajve.