Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë votuar për dërgimin e ushtarëve malazezë në misionin e NATO-s për ndihmë Ukrainës, u vendos në seancën e sotme.
Për këtë vendim votuan 44 deputetë, pesë ishin kundër, ndërsa dy abstenuan.
Për vendimin votuan përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Lëvizjes “Evropa Tani” (PES), Demokratëve të Malit të Zi, Socialdemokratëve (SD), Demokracisë së Re Serbe (NSD), Aleancës së Qytetarëve “CIVIS”, Forumit Shqiptar, Partisë Boshnjake dhe deputetë të pavarur.
Kundër ishin deputetët e Partisë Popullore Demokratike (DNP) dhe deputeti i Malit të Zi të Bashkuar, Vladimir Dobriçanin, ndërsa abstenuan deputetët e Partisë Popullore Socialiste (SNP), shkruan Vijesti.me.
Ambasada e Ukrainës në Mal të Zi reagoi ndaj këtij vendimi, duke shprehur mirënjohje të madhe ndaj Kuvendit të Malit të Zi për këtë akt.
“Jemi jashtëzakonisht mirënjohës Kuvendit të Malit të Zi për votimin e sotëm mbi pjesëmarrjen e Malit të Zi në misionin NATO Security Assistance and Training for Ukraine (NSATU). Faleminderit Malit të Zi mik për mbështetjen në këtë kohë sfiduese”, thuhet në deklaratë.










