Komuna e Gjilanit, nën udhëheqjen e Alban Hysenit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka hapur një tender për “Ndërtimin e projektit të integruar të Bulevardit të Qytetit të Gjilanit”, me një vlerë prej 18 milionë eurosh. Të paktën dy kompani të interesuara për të garuar dyshojnë se specifikimet dhe disa nga kushtet e përfshira në dosje janë favorizuese për kompani të caktuara dhe diskriminuese për të tjerat, shkruan Demokracia.com.
Kompania “Pro&Co Group” dhe kompania “Semaks” Sh.p.k kanë parashtruar ankesa, duke ngritur dyshime se prokurimi i Komunës së Gjilanit ka vendosur kritere diskriminuese në hapjen e kontratës 18 milionëshe për ofertim. Dyshohet se shumë pajisje teknike janë përfshirë në mënyrë fiktive në dosje, si dhe janë kërkuar certifikata profesionale të ISO-së, të cilat kompanitë në garë nuk mund t’i sigurojnë brenda afatit prej rreth 20 ditësh, sa është lënë i hapur tenderi nga komuna. Sipas kompanive ankuese, ky afat është përcaktuar në kundërshtim me ligjin.
Komuna ua ka refuzuar pikat ankimore, ndërsa kompanitë kanë vazhduar me ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Fillimisht, kompania “Semaks” kishte dorëzuar ankesë në Komunë, duke kërkuar zgjatjen e afatit të garës në minimumi 40 ditë, ashtu siç është e përcaktuar me ligj për kontratat e mëdha. Sipas saj, shkurtimi i afatit ka qenë pa bazë ligjore.
Për këtë kërkesë kishte raportuar edhe Demokracia.com.
Po ashtu, për sa i përket kërkesave për makineri, dyshohet se Komuna ka vendosur kritere të vështira për t’u përmbushur.
Më tej, përfshirja e disa pajisjeve shihet si fiktive dhe jo në përputhje me natyrën e projektit – si në rastin e kërkesës për një xhip 4×4 apo një makineri speciale për pastrimin e kanalizimeve, me dy pompa për zhbllokimin e tyre dhe zbrazjen e pusetave me presion minimal prej 200 barësh dhe kapacitet prej 5 mijë litrash.
Kompanitë kanë shprehur shqetësime edhe për kërkesat lidhur me certifikatat profesionale te ISO-se.
Një prej kritereve të kërkuara për posedimin e referencave për punët e kryera, po kundërshtohet nga kompania ankuesen si kërkesë me elemente diskriminuese:
Ankese ne OSHP ka parashtruar edhe kompania “Pro&Co Group”:
Fillimisht, ky tender duhet të shqyrtohet nga një ekspert i OSHP-së, i cili do të vlerësojë nëse pikat ankimore janë të bazuara. Më pas, për të shqyrtuar raportin e ekspertit, duhet të mblidhet Paneli i OSHP-së. Se ky tender do të zvarritet dhe se procesi do të zgjasë të paktën disa javë, tashmë është e qartë. /Demokracia.com/