Mafiozi italian Antonino Vadala, i cili është pjesë e mafisë kalabreze, rezulton të ketë udhëtuar me avionin e një ministri nga Kosova.
Televizioni publik italian RAI ka publikuar një hulumtim të lidhjeve të mafisë me politikanët shqiptarë, ndërkohë që nuk e ka bërë të ditur emrin e ministrit në Qeverinë e Kosovës.
I vënë në qendër të hulumtimit nga gazetarja italiane Maria Grazia Mazzola, mafiozi italian Antonino Vadala, i njohur për lidhje me klanin e njohur me emrin “Ndrangheta”, akuzohet edhe për trafikim droge, shkruan sot Koha Ditore.
Por investigimi i gazetares italiane nuk përfundon vetëm me mafiozin italian Antonino Vadala. Për lidhje me të implikohen edhe politikanë të lartë nga Sllovakia, përfshirë këtu edhe ish-kryeministrin sllovak Robert Fico. Vadala, i cili në Itali akuzohej për trafikim droge, ka arritur që në Sllovaki të infiltrojë njerëz të tij në pozita të larta, më saktësisht të dashurën e tij si nëpunëse në Ministrinë e Brendshme dhe këshilltare të ish-kryeministrit Fico. Gazetarja Mazzola, duke folur për mediat, është shprehur se si kryeministri sllovak e ka mbajtur afër vetes Maria Trooskovan, pavarësisht lidhjeve të saj me mafiozin Vadala, shkruan Koha Ditore në numrin e sotëm.