Ish-sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, i cili do të mbahet më 12 qershor, ku edhe do të mbajë fjalim në tubimin qendror për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Kështu thuhet në një njoftim të këshillit organizativ për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
Sipas organizatorëve, Kosova po shënon këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë.
“Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e këshillit organizativ.
Sipas këshillit, tubimi qendror do të mbahet në sheshin “Skëndërbeu”, duke filluar nga ora 11:00./KosovaPress/