Ndërsa përpjekjet globale për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë, më shumë fokus po vendoset në mënyrën se si Ukrainës mund t’i jepen garancitë e sigurisë që do ta pengojnë Rusinë të nisë një pushtim përsëri.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, parashtroi “koalicionin e vullnetarëve” për herë të parë pak më pak se dy javë më parë, duke sugjeruar se trupa nga një numër vendesh mund të vendosen në Ukrainë si paqeruajtës.
Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron tha dje se kontributi nuk do të synonte të dislokonte një “masë” ushtarësh, por në vend të kësaj mund të dërgonte kontigjente prej disa mijëra trupash në vendet kryesore në Ukrainë pa pasur nevojë për lejen e Rusisë, shkruan Sky News.
Macron njoftoi se “disa vende evropiane, dhe në të vërtetë ato jo-evropiane” kishin “shprehur vullnetin e tyre” për t’iu bashkuar një dislokimi të mundshëm.
Kjo mund të përfshijë “disa mijëra trupa” nga çdo shtet, të dislokuara në “pikat kyçe” në Ukrainë, për të kryer programe trajnimi dhe për të treguar mbështetje.
Moska e ka kundërshtuar një vendosje të tillë, por Macron tha se leja e Rusisë nuk ishte e nevojshme.
“Nëse Ukraina kërkon që forcat aleate të jenë në territorin e saj, nuk i takon Rusisë t’i pranojë ose t’i refuzojë ato”, tha francezi.
Ndryshe, udhëheqësit ushtarakë nga e gjithë bota do të takohen të enjten në Londër, ndërsa planet për forcën paqeruajtëse do të kalojnë në një “forcë operacionale”.