Në fjalimin e tij para anëtarëve të Parlamentit Britanik, presidenti francez, Emmanuel Macron, preku marrëdhëniet shumëdimensionale midis dy vendeve, luftën Rusi-Ukrainë dhe negociatat për një armëpushim në Gaza, transmeton Anadolu.
Macron iu drejtua anëtarëve të Parlamentit Britanik në pallatin Westminster në ditën e parë të vizitës së tij treditore shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.
Presidenti francez deklaroi se me rikthimin e luftës në kontinentin evropian, rendi paqësor është nën sulm çdo ditë dhe se ata po dëshmojnë shkeljen e rregullave ndërkombëtare nga forcat që prishin stabilitetin. Macron u bëri thirrje aleatëve të punojnë së bashku për të ruajtur rendin ndërkombëtar.
“Sa herë që Rusia e Vladimir Putinit përparon në Ukrainë, kërcënimi na afrohet të gjithëve”, tha Macron. Ai nënvizoi se Evropa nuk do ta lë kurrë Ukrainën vetëm.
– “Një luftë e pafundme është një kërcënim i madh për rajonin dhe sigurinë kolektive”
Në fjalën e tij, Macron përmendi negociatat e zhvilluara për të arritur një armëpushim në Gaza, e cila është nën sulme dhe bllokadë intensive izraelite.
Duke deklaruar se do të punojnë së bashku në rrugën drejt paqes në Lindjen e Mesme, Macron tha: “Dua ta bëj të qartë se thirrja për një armëpushim pa kushte në Gaza sot do të thotë t’i tregojmë botës se nuk ka standarde të dyfishta për ne si Evropë. Ne duam një armëpushim sepse jemi të përkushtuar ndaj jetës njerëzore dhe integritetit territorial. Sot, e vetmja mënyrë është të njohim shtetin e Palestinës dhe të punojmë së bashku për të filluar këtë moment politik”.
Presidenti francez theksoi se një luftë e pafundme përbën një kërcënim të madh për rajonin dhe sigurinë kolektive.
– “Britania dhe Franca do të arrijnë rezultate konkrete në lidhje me emigracionin”.
Emigracionin e paligjshëm Macron e përshkroi si një barrë të madhe për vendin e tij dhe Mbretërinë e Bashkuar: “Shpresa për një jetë më të mirë diku tjetër është legjitime, por ne nuk do të lejojmë që njerëzit dhe bandat kriminale të shkelin rregullat”, tha ai.
Duke deklaruar se Mbretëria e Bashkuar ka një përgjegjësi të përbashkët për të adresuar emigracionin e parregullt me humanizëm, solidaritet dhe vendosmëri, Macron tha se ekziston një bashkëpunim i ngushtë midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje dhe se qëllimi i tyre është zgjidhja e këtij problemi, i cili sipas tij është një barrë për të dy vendet.
Macron nënvizoi se ata mund të arrijnë një zgjidhje efektive duke vazhduar të punojnë me vendet e daljes dhe tranzitit të rrugëve globale të emigracionit.
– Tregtia Britani-Francë tejkalon nivelet para Brexit-it
Lidhur me marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, Macron deklaroi se tregtia midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës ka tejkaluar nivelet para Brexit-it. Macron përmendi gjithashtu se është udhëheqësi i parë evropian që bën një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar që nga Brexit-i.
Duke vënë në dukje se në Mbretërinë e Bashkuar ka 3.500 kompani franceze, duke e bërë Francën punëdhënësin e dytë më të madh të huaj në vend, Macron tha se Franca do të ofrojë investime shtesë për të hyrë në një epokë të re bashkëpunimi në fushat e energjisë dhe hapësirës në samitin midis dy vendeve.
– “Për të ardhmen tonë, ne duhet të zvogëlojmë varësinë tonë të tepërt nga Kina dhe SHBA-ja”
Presidenti Macron foli edhe për marrëdhëniet me Kinën dhe SHBA-në, duke paralajmëruar se Evropa duhet të bëhet më pak e varur nga SHBA-ja dhe Kina.
Ai theksoi se Britania dhe Franca kanë marrëdhënie më të ngushta sesa me Washingtonin dhe Pekinin.
“Le të jemi realistë, nëse evropianët, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, nuk punojnë së bashku për të zvogëluar varësitë tona, nëse jemi ende të varur si nga Kina ashtu edhe nga SHBA-ja, mendoj se kemi një pamje të qartë për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Macron.
Macron tha se si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe e gjithë Evropa, duhet të ndërtojnë pavarësi më të madhe në fushat teknologjike dhe ekonomike.
The post Macron i drejtohet Parlamentit Britanik: E vetmja mënyrë është të njohim shtetin e Palestinës appeared first on Kosovapost.net.