Macron e ndryshon datën e Samitit të G7-ës shkaku i ditëlindjes së Donald Trumpit

Franca ka “ndryshuar me mirësjellje datat” e samitit të ardhshëm të G7-ës, “për të marrë parasysh axhendën e Donald Trump”. Kështu u shpreh një zyrtar i lartë amerikan për AFP-në të hënën.

Zyrtari po reagonte ndaj një raporti të Politico se samiti, fillimisht i planifikuar për 14-16 qershor, ishte shtyrë për në 15-17 qershor.

Presidenti amerikan po organizon një ndeshje artesh marciale të përziera në Shtëpinë e Bardhë më 14 qershor, në ditëlindjen e tij të 80-të.

“Si udhëheqës i botës së lirë, partnerët tanë e konsideruan të nevojshme që Presidenti Trump të merrte pjesë në samitin e G7. Ata me mirësjellje ndryshuan datat për t’iu përshtatur axhendës së presidentit amerikan”, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

“Data e samitit është rezultat i konsultimeve me të gjithë partnerët tanë të G7”, komentoi Pallati Elysee.

Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja, Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe përbëjnë “Grupin e Shtatë”.

Çdo vend organizon me radhë takimet ministrore dhe samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive që zhvillohen çdo vit.

Ky model u ndërpre nga rikthimi në pushtet i Donald Trump, i cili tronditi thellësisht aleancat tradicionale të Shteteve të Bashkuara.