Mac Allister lë pas dëmtimin: Merkatoja që po bëjmë është e jashtëzakonshme

“Ka kaluar shumë kohë dhe ka qenë një periudhë e vështirë, sepse nuk është kurrë bukur të jesh i dëmtuar”. Nga grumbullimi në Tokio flet mesfushori i Liverpool-it, Alexis Mac Allister, i cili prej pak ditësh është kthyer në stërvitje me skuadrën, pasi një dëmtim e kishte lënë jashtë në ndeshjet e fundit të kampionatit të kaluar dhe në tri miqësoret e para të verës ndaj Preston, Stoke City dhe Milan.
“Tani ndihem mirë, është thjesht çështje kohe për të rikthyer formën optimale, por është bukur që jam kthyer”, – tha argjentinasi për kanalet zyrtare të klubit.

Rreth dëmtimit: “Është e vështirë ta shpjegosh, sepse nuk bëhet fjalë për një pikë të vetme ku thua: OK, duhet të përqendrohemi këtu. Janë dy ose tri gjëra të ndryshme me të cilat jam përballur për disa muaj. Sidoqoftë, tani ndihem vërtet, vërtet mirë, po stërvitem me skuadrën dhe jam mjaft i sigurt se gjithçka do të shkojë mirë për fillimin e sezonit, shpresoj edhe për finalen e Community Shield”.

Për merkaton “faraonike” të klubit: “Është e pabesueshme. Mendoj se kemi bërë përforcime të mëdha në skuadër, lojtarët e rinj po tregojnë në çdo seancë stërvitore sa të mirë janë. Jam mjaft i sigurt që ky do të jetë një sezon i shkëlqyer për ne. Përforcimet e verës kanë sjellë energji të re, një energji shumë pozitive, veçanërisht Jeremie. Janë gjithmonë me buzëqeshje, duket sa të lumtur janë që ndodhen këtu dhe shpresoj që të na ndihmojnë të fitojmë trofe të tjerë”.

The post Mac Allister lë pas dëmtimin: Merkatoja që po bëjmë është e jashtëzakonshme appeared first on Telesport.