‘Ma të rëndësishme 1.2 miliardë euro apo votimi i Albulena Haxhiut?’: Kështu përgjigjet Mimoza Kusari-Lila

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila është “përballur” me një pyetje të vështirë nga gazetarët, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për herën e 19-të.

Dikush nga gazetarët, ka pyetur atë në lidhje me mbi një miliard fonde të Bashkimit Evropian dhe votimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

“A ma të rëndësishme janë me i humb Kosova 1.2 miliardë euro apo votimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit?” – ishte pyetja.

Këtu, Kusari-Lila ka kërkuar që kjo pyetje t’i bëhet edhe opozitës.

“1.2 miliardë euro fonde janë, flitet për një periudhë më të gjatë kohore, nëse i referoheni marrëveshjes së rritjes të BE-së, marrëveshje që duhet të jetë e ndarë në disa vite, flasim për miratimin e marrëveshjes, dhe pastaj për vite me rradhë, shpërndarja e saj.

Barra e përgjegjësisë që ju po e vendosni vetëm te grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duhet të bëhet njëjtë te ata që vijnë në Kuvend dhe nuk marrin pjesë në votim.

Për marrëveshje ndërkombëtare duhet 80 vota për, jo 61” – ka thënë ajo, transmeton Nacionale.