Luzha: VV-ja e Kurti të distancohen nga Sami Kurteshi

Analistja politike, Besa Luzha,  ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti, duhet të distancohen nga gjuha e ashpër e anëtarit të tyre në KQZ, Sami Kurteshi.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Luzha ka thënë se Kurti ka kohë ende për ta “rikuperuar dëmin”.

“Unë bëj thirrje që z.Kurti, Lëvizja Vetëvendosje me maturi, ende ka kohë për ta rikuperuar dëmin, p.sh. të distancohen nga gjuha e ashpër që z.Kurteshi ka përdorur edhe për mediat brenda në KQZ. Të japin një prononcim që ne përkundrazi, nuk jemi për ta dëmtuar interesat as të amerikanëve që i kemi aleatë dhe duhet presim vendimet e institucioneve”, ka thënë ajo.

Ndërsa për moscertifikimin e Listës Serbe, gjë që ka ngjallur reagime edhe te ndërkombëtarët, Luzha ka thënë se Vetëvendosja mund ta përdorë fushatën elektorale që të thonë se në rast se vijnë sërish në pushtet, do të marrin masat ligjore që ta pamundësojnë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje.

“Për mua, Lëvizja Vetëvendosje ka plotësisht të drejtë në kauzën e vet edhe në fushatë të thonë; ne gjatë fushatës premtojmë që herën e ardhshme posa të vijmë në pushtet do t’i marrim të gjitha masat ligjore që ta pamundësojmë Listën Serbe për të qenë pjesë më tutje. Dhe aty përfundon ajo punë”, ka shtuar ajo.