Lutfi Haziri tregon a mund të ndryshojë “Jo” e LDK-së për LVV-në pas zgjedhjeve të reja

Zgjedhjet e reja, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, nuk i sheh si zgjidhje të vetme.

Haziri tha se kurdo që vendi shkon në zgjedhje duhet të krijohet një koalicion stabil e që e zgjedh edhe presidentin e ri.

“Ne para shkurtit kemi thënë “Jo” (për koalicion me LVV-në), dhe kur kemi thënë ‘Jo’, ata kanë thënë: ‘Po kush po ju thirrë?’. Kur kemi thënë në dy raste pas 9 shkurtit: “Jo, faleminderit!”, sepse i kemi dhënë arsyet para 9 shkurtit dhe përkundër kualifikimeve që i kemi marrë nga lideri i Vetëvendosjes në veçanti, doli që bashkëpunimi në Kosovë është frymë kushtetuese e jo vetëm vullnet. Tek ne nuk ka fitues të mëdhenj”- tha Haziri për KALLXO.

Haziri ka thënë se kur presidentja e jep mandatarin e dytë, ajo beson që ai i ka votat dhe se duhet të ua shpjegojë se çfarë ka nënkuptuar.

“Zgjedhjet nuk kanë me qenë zgjidhje e vetme prapë. Në politikë, njerëzit votojnë për me bartë mandat. Qytetari ka votu për me dhënë mandat tek ne dhe ne me gjetë zgjidhje politike e jo Gjykata Kushtetuese me bë zgjidhje e as presidentja se s’ka çka lypë këtu, por deputetët dhe partitë duhet të bëjnë zgjidhje”- tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se nuk ka përpjekje për t’i evituar zgjedhjet e as angazhim për gjetjen dhe krijimin e një shumice, qoftë edhe kalimtare. Sipas tij, nuk po shihet ‘dritë në fund të tunelit’.

Për mundësinë e një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së pas zgjedhjeve të reja, Haziri ka thënë se nuk mund të dihet tani por se kurdo që mbahen zgjedhjet duhet të prodhojnë rezultat dhe qeverisje ku do duhej stabilitet politik.

“Ku edhe çështja e presidentit të Republikës ka me u zgjidhë. Nuk mundemi për çdo rast me bë zgjedhje. Kjo që zotëri Kurti me sa di po e përmend, zgjedhje në dhjetor edhe në mars më shumë është lojë fjalësh për me çu mesazh politik në publik që nëse nuk bëhet tash kemi me u riciklu në zgjedhje”- shtoi ai, duke thënë se mund të ndodhë sepse Kurti njihet për revanshe politike.

Raporti i mosbashkëpunimit politik në Kosovë ka dërgu në revanshizma politikë, sipas tij.

“Se sa e shohim LDK-në në një gjendje të re paszgjedhore nuk mund të parashikoj as unë. LDK me këtë lidership që e kemi sot, nuk është pragmatike si më herët. Mos pritni që ka me u bë më pragmatike”- ka thënë ai.

LDK-ja, sipas tij, po angazhohet që t’u japë kontribut politik proceseve dhe Republikës me bindjen që Kosova të normalizohet dhe të ketë stabilitet në institucione. Ai shtoi se Kosovën po e pret një agjendë e rëndë ndërkombëtare karshi sigurisë e rajonit si dhe dy luftërave në Lindje të Mesme e në Ukrainë.

Për çështjen e zgjedhjes së Qeverisë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është përgjigjur gazetarëve më 10.11.2025, duke thënë se “kanë ngelur edhe 10 ditë dhe se informacion të saktë në lidhje me numrat apo mundësitë do të ketë në këtë javë dhe në fillim të javës së ardhshme”.

“Mandati i është dhënë nga zonja presidente Vjosa Osmani Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne urojmë për më të mirën. E ritheksojmë, nuk mendojmë që është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje edhe në dhjetor e më pastaj edhe sërish në prill”- tha ai.