Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka akuzuar Vetëvendosjen për bllokim të procesit të formimit të institucioneve.
Ai ka thënë se ata po përpiqen të viktimizohen.
Lushtaku në emisionin ‘Mesditë” në Tëvë1 ka thënë si parti kanë reflektuar për tejkalimin e krizës, por partia fituese e zgjedhjeve e ka pruar vendin në këtë situatë ku mund të shkohet edhe në zgjedhje.
“Vetëvendosje nuk është e interesuar për të formuar institucionet por për tu viktimizuar. Kurti është inatqor po këmbëngul në Albulena Haxhiun duke ditur se ka alternativa. Ne kemi reflektuar. Fajtori kryesor është Albin Kurti dhe Vetëvendosje që e kanë sjellë vendin në këtë situatë që edhe mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Lushtaku.
Ai ka thënë se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk është gjë e mirë, por nëse nuk ka reflektim nga Vetëvendosje, ato janë të pashmangshme.
“Nuk është mirë të shkohet në zgjedhje, besoj se duhet gjetur një gjuhë të përbashkët sidomos partia në pushtet meqenëse ne kemi dhënë alternativat tona për të dal nga kjo situatë mund të jenë të pashmangshme zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe ne jemi të gatshëm”, ka thënë Lushtaku.
Të premten ka dështuar edhe përpjeka e 52-të për konstituimin e Kuvendit. Seanca e radhës do të mbahet të shtunën në ditën kur përfundon afati 30 ditor i dhënë nga gjykata.
Gjykata Kushtetuese të enjten ka vendosur masë të përkohshme lidhur me seancën konstituive, ku nga data 27 korrik e deri më 8 gusht deputetët nuk mund të marrin asnjë vendim.
The post Lushtaku: Zgjedhjet e jashtëzakonshme të pashmangshme nëse nuk ka reflektim nga Vetëvendosje appeared first on Kosovapost.net.