Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh kandidati për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku ka thënë se në protestën e nesërme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë, të bëhen të gjithë së bashku për të vërtetën dhe drejtësinë.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku thotë se në këtë thirrje për drejtësi, iu kujtua fotografia e vjetër me grupin e themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qendër të Tiranës, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, që sipas tij është një dëshmi e besimit të palëkundur për liri e drejtësi.
“Nesër, në Tiranë, kombi ynë bashkohet sërish, ashtu si dikur, me shpirtin e njëjtë që na udhëhoqi në ditët më të vështira të lirisë”.
“Në këtë thirrje për drejtësi dhe dinjitet kombëtar, më kujtohet fotografia e vjetër me grupin e themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qendër të Tiranës, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, një dëshmi e besimit tonë të palëkundur për liri e drejtësi. Le të bëhemi të gjithë bashkë për të vërtetën, për atdheun, për drejtësinë, për UÇK-në!”, ka shkruar ai.