Jehona Lushaku-Sadriu, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës ku u votua Rezoluta për Hagën.
Ajo tha se arsyeja pse LDK-ja nuk votoi për të, ishte fakti se nuk u përfshi amandamentimi i tyre në tekstin e Rezolutës.
“Kemi mbajtur një mbledhje të Kryesisë ku jemi dakorduar për rendin e ditës, dhe si parti politike dhe grup parlamentar nuk kemi qenë të njoftuar për përmbajtjen e kësaj rezolute, dhe për këtë ne kemi miratuar për të mos ndërprerë procedurën, jemi pajtuar të hyjmë në seancë, por kemi kërkuar tekstin. Dhe kemi ardh në seancë duke mos qenë të përfshirë në grupin konsultativ në lidhje me këtë rezolutë”.
“Në seancë kemi bërë një propozim të një amandamentimi, të cilin keni pasur mundësinë ta dëgjoni edhe përmbajtjen e tij, dhe meqë kryetarja nuk e vuri në votim këtë amandament, ne jemi rezervuar nga votimi”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Ajo tha se LDK-ja e ka shprehur mbështetjen për Rezolutën në fjalë, por tha se “jemi rezervuar nga votimi për shkak se nuk është hedhur në votim paragrafi ose amandamentimi që ne kemi dashur ta bëjmë”.
“Ky është një mocion dhe është dashur të hedhej në votim”, u shpreh shefja e GP të LDK-së.
Gjatë seancës, Lushaku-Sadriu kërkoi që në rezolutë të futet një pjesë që flet për vrasjet gjatë dhe pas luftës.
“Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes të vrasjeve të pazbuluara, gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovë, që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës”, ishte pika që e lexoi Lushaku.
Megjithatë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se duhet të vazhdohet me propozimin e PDK-së.










