Jehona Lushaku Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deklaron se reduktime masive të rrymës sot kanë lënë familjet pa ngrohje, bizneset e bllokuara; “kanë shkaktuar ndërprerje të mësimit në shkolla, kanë shkaktuar kollabim të shërbimeve të gjykatave, ambulantave shëndetësore e institucioneve tjera dhe bllokim të shërbimeve publike”, është shprehur ajo.
Lushaku thotë se “paradoksalisht, sot kur po paguajmë rrymën më së shtrenjti, po mbesim pa të, e askush nuk po jep përgjegjësi”.
“Kjo nuk është krizë e papritur. Kjo është keqmenaxhim i pastër dhe papërgjegjësi totale nga ana e Qeverisë”, vlerëson Lushaku.
“Për këtë situatë kërkoj llogari publike së pari nga ZRRE si dhe Qeveria, Ministria e Ekonomisë si dhe të gjitha institucionet relevante; Plan Emergjent dhe ndaljen e menjëhershme të reduktimeve. Kosova nuk mund të qeveriset me arsyetime, as të mbahet peng nga dështimi. E aq më pak me padi ndaj zërave kritikë, si rasti i Janina Ymerit”, ka deklaruar Lushaku.
“Qytetarët meritojnë energji elektrike, si diçka bazike. Jo institucione të papërgjegjshme!”, përfundoi ajo.










