Lukaku: Unë dhe Conte kemi të njëjtën mentalitet. Favorit për titullin? E nisim nga zeroja…

Në një intervistë për numrin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi i Napolit, Romelu Lukaku, ka folur për Antonio Conten: “Kemi të njëjtin mentalitet, vetëm përmes punës mund të përmirësohet cilido. Ai ka një ide loje që iu përshtatet karakteristikave të mia. Vetë, kur jam në shtëpi, përpiqem të mësoj konceptet taktike që trajneri kërkon.

Marrëdhënia jonë ka funksionuar gjithmonë, sepse ai di të më japë çdo ditë motivimin për të qenë gjithmonë më i forti. ‘Babai’ im futbollistik? Po, siç kanë qenë Roberto Martinez te Belgjika, Koeman tek Evertoni dhe Ariel Jacobs tek Anderlechti. Janë ata që ma kanë ndryshuar jetën”.

Sulmuesi belg u ndal më pas tek ardhja e De Bruyne dhe ndikimi i tij në vendimin e ish-lojtarit të City për të zgjedhur Napolin: “Shumë pak m’u desh, vetëm dy telefonata, shumë të thjeshta. I shpjegova çfarë do të thotë të luash këtu, se jemi një skuadër që dëshiron të përmirësohet dhe të konfirmohet për sezonin e ardhshëm. Do të jetë një sfidë e madhe, por ai i pëlqen sfidat”.

Trajneri i Napolit ka theksuar se kush e mban stemën e kampionit në fanellë është automatikisht favorit për sezonin tjetër, por Lukaku qëndron i rezervuar: “Është një kampionat i ri, e nisim nga zeroja. Jemi këtu për t’u përgatitur mirë tani, pastaj do të shohim”.

The post Lukaku: Unë dhe Conte kemi të njëjtën mentalitet. Favorit për titullin? E nisim nga zeroja… appeared first on Telesport.