Sulmuesi belg i Napolit, Romelu Lukaku, në një intervistë për “Sky Sport” nga grumbullimi në Dimaro, ka folur për fazën përgatitore dhe merkaton e skuadrës së tij. Këto janë deklaratat e “BigRom”: “Mendoj se po punojmë shumë mirë si skuadër, është një moment i rëndësishëm për ne. Na pret një sezon i gjatë, por jemi këtu me mentalitetin e duhur”.
Për Conten: “Trajneri ynë është gjithmonë kërkues, mundohet vazhdimisht të na përmirësojë. Motoja jonë është të bëjmë gjithmonë e më mirë”.
Për ardhjen e Lucca: “Po përpiqem ta ndihmoj në aspektin taktik, kemi shumë skema të mirëpërcaktuara. Përndryshe, është një djalë shumë i mirë, ka diçka që mund të na ndihmojë. Mendoj për shembull për mënyrën se si Lucca sulmon portën. Me të kemi një armë më shumë për ta mbrojtur titullin. Është dikush që mund të më ndihmojë edhe mua në fushë, nëse luajmë bashkë, sepse kjo varet nga trajneri”.
Për merkaton: “Merkato ende nuk ka përfunduar, klubi po përpiqet të bëjë edhe disa lëvizje. Lojtarët që do të jenë këtu në fund të merkatos do të jenë ata me të cilët do të luftojmë për sezonin e ardhshëm”.
Për De Bruyne: “Është një njeri i thjeshtë, shumë i lidhur me familjen. I kam kërkuar të jetë protagonist si te Manchester City, edhe me kombëtaren. E njoh që kur ishim 13 vjeç, e dini të gjithë këtë. Kevin vendosi të vijë këtu dhe të gjithë jemi shumë të lumtur”.
The post Lukaku synon mbrojtjen e titullit: Motoja jonë është të bëjmë gjithmonë e më mirë appeared first on Telesport.