Lukaku, dëmtimi rezulton shokues. Këputje në kofshën e majtë, po vlerësohet ndërhyrja kirurgjikale

Në gjuhën e ftohtë dhe shpesh “brutale” të mjekësisë, ka shkuar kështu: “Pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Olympiacos, Romelu Lukaku iu nënshtrua, pranë ‘Pineta Grande Hospital’, ekzaminimeve instrumentale që zbuluan dëmtim të shkallës së lartë të muskulit ‘rektus femoris’ të kofshës së majtë. Futbollisti ka nisur tashmë procesin rehabilitues dhe do t’i nënshtrohet gjithashtu një konsulte kirurgjikale”.

Pra, jemi larg 2 muajve mungesë në fushat e blerta, sa shpresohej për “Big Rom”, i projektuar titullar i padiskutueshëm i sulmit të Napolit. “Lezion i shkallës së lartë” është praktikisht një këputje muskulore. Dhe ajo frazë “konsultë kirurgjikale” e kthen situatën në dilemë ekzistenciale. Stafi mjekësor, me specialistët, do të vendosin cili është opsioni më i mirë për rikuperimin e Lukakut. Dy janë hipotezat: terapi konservative ose ndërhyrje kirurgjikale.

Sulmuesi ka një dëmtim shumë serioz, por jo total të indeve, ndaj mund të ndiqet terapia konservative, ose direkt ndërhyrja kirurgjikale. Terapia konservative, ndonëse duket më pak drastike, fsheh një kurth: kërkon kohë për të dhënë efekt dhe nuk garanton shërim të plotë. Domethënë nuk përjashton mundësinë që më pas të nevojitet gjithsesi operacioni, me humbje kohe edhe më të madhe.

CASTEL DI SANGRO, ITALY - AUGUST 14: Romelu Lukaku of Napoli leaves the pitch after suffering an injury during the pre-season friendly match between Napoli and Olympiacos at Stadio Teofilo Patini on August 14, 2025 in Castel di Sangro, Italy. (Photo by Giuseppe Bellini/Getty Images)

Ja pse, nëse operacioni do ta mbante jashtë fushës për 4-5 muaj (me rikthim jo para janarit 2026), terapia konservative mund të nënkuptojë mungesë që varion nga 2 deri në 7 muaj. Nëse më pas do të duhej operim, Lukaku mund të rikthehej vetëm në mars, prill 2026, me rrezikun e madh për ta humbur edhe Botërorin 2026. Vendimi do të merret në orët e ardhshme, në marrëveshje mes lojtarit dhe klubit.

Nga një samit te tjetri, De Laurentiis, Conte dhe Manna duhet të kalojnë tani në fazën operative, atë të merkatos. A mundet kampioni i Italisë, i angazhuar në Champions, të përballet me sezonin e ri vetëm me një qendërsulmues, Lucca, i cili do të debutojë të shtunën e 23 gushtit në Reggio Emilia, në vend të “Big Rom”? Përgjigjja është në fakte: Napoli po kërkon sulmues. Dhe kur kanë mbetur vetëm 13 ditë nga mbyllja e merkatos verore, nuk është aspak e thjeshtë të gjendet profili i duhur.

The post Lukaku, dëmtimi rezulton shokues. Këputje në kofshën e majtë, po vlerësohet ndërhyrja kirurgjikale appeared first on Telesport.