Finalja e Superkupës së Europës u vendos nga penalltitë, pas barazimit dramatik 2-2 në kohën e rregullt. Triumfoi PSG-ja, edhe pse e pa veten në disavantazhin 2-0. Në konferencën për shtyp, trajneri Luis Enrique komentoi ndeshjen dhe atë që ndodhi në fushë.
Çfarë ju kalonte në mendje pas golit të Lee?
Për të qenë i sinqertë, nuk jam i sigurt nëse e merituam këtë trofe. Diferenca ishte e qartë mes asaj që bëri Tottenham dhe asaj që bëmë ne. Ata patën 6 javë për t’u përgatitur, ndërsa ne vetëm 6 ditë. Diferenca fizike ishte e dukshme. U përpoqëm të bënim lojën tonë, por për 80 minuta nuk ia dolëm. Më pas gjetëm episodet dhe fituam me penallti. Jam shumë i lumtur për tifozët që nuk ndaluan kurrë së na mbështeturi; ata ishin lojtari i 12-të në fushë. Në pjesën më të madhe të ndeshjes ishim në disavantazh, tifozët na ndihmuan shumë.
Dje thatë se do të buzëqeshnit në çdo rast, por nuk ishte ashtu?
Do ta përsëris: për ne ndeshja ishte e çuditshme. Diferenca fizike ishte normale. Nuk bëhet fjalë vetëm për të arritur formën e duhur, por ajo që pamë sot ishte mungesë cilësie nga disa lojtarë, gjë normale në këtë fazë. E kujtoj kur luaja pas verës, nuk kisha të njëjtin nivel aftësie. Pra, është normale të bësh disa gabime. Sinqerisht, mendoj se Tottenham do ta kishte merituar më shumë fitoren.
Ju besuat deri në fund?
Unë do të besoj gjithmonë te lojtarët e mi. Episode të tilla pas 80 minutash nuk janë të lehta për t’u menaxhuar, por ne vazhduam të sulmonim. Krijuam raste me Dembélé, Fabián Ruiz… Të gjithë ata që luajtën dhe ata që hynë në pjesën e dytë ishin shumë të mirë. Më pëlqeu ta shihja këtë lloj reagimi.
Si e vlerësoni Chevalier?
Jam i lumtur. Ai tregoi personalitet, duam ta integrojmë menjëherë me skuadrën. Jam gjithashtu i kënaqur se si e ndihmoi skuadrën sonte me pritjet e tij. Ne gjithmonë duam të përmirësohemi, mendoj se këtë sezon do të jemi më të fortë. Të gjithë flisnin për situatën e tij, që nuk ishte e lehtë, por tregoi karakter të madh.
Cili ishte elementi kyç i suksesit?
Nëse duhet të zgjedh një element, ishte besimi. Ne gjithmonë mendojmë se mund të fitojmë, edhe kur jemi në disavantazh. Tottenham luajti më mirë deri në minutën e 81-të, por ndonjëherë futbolli është i pamëshirshëm.
The post Luis Enrique, pas fitimit të Superkupës: Tottenham meritonte më shumë, por ne nuk dorëzohemi kurrë appeared first on Telesport.