Në prag të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Champions League mes PSG dhe Chelsea, trajneri Luis Enrique foli në konferencë për shtyp, duke shfaqur besim të madh te skuadra e tij. Spanjolli u përpoq të largonte dyshimet dhe kritikat që kanë qarkulluar rreth klubit javët e fundit: “Nuk kemi asnjë dyshim për nivelin tonë. Gjatë një sezoni ka gjithmonë momente më të vështira, por ne preferojmë të përqendrohemi tek aspektet pozitive. Është normale që të ketë komente pozitive apo negative në varësi të rezultateve”.
Luis Enrique analizoi edhe kundërshtarin, duke e cilësuar Chelsea shumë të rrezikshëm: “Skuadrat angleze në Champions League janë të gjitha të një niveli shumë të lartë. E njohim mirë Chelsea, e kemi përballuar edhe gjatë verës. Ka ndryshuar trajner dhe disa lojtarë, por mbetet një ekip plot me futbollistë ndërkombëtarë. Do të jetë një sfidë e vështirë për të dyja palët”.
Nga ana taktike ai theksoi dallimet mes ekipeve: “Ne na pëlqen të kemi më shumë posedim topi se kundërshtari, ndërsa ata janë shumë efikasë kur e menaxhojnë topin. Do të jetë një ndeshje e balancuar”. Për aspektin mental në një përballje të dyfishtë, trajneri shtoi: “Shpresoj që skuadra të ruajë qetësinë. Motivimi i tepërt mund të bëhet problem në ndeshje të tilla. E dimë çfarë ndeshjeje duam të luajmë dhe jemi mësuar t’i menaxhojmë këto situata”.
Ai shmangu komentet për individë dhe vështirësitë në realizim: “Në momente të vështira preferojmë të qëndrojmë të bashkuar. Nuk është momenti të flasim për individë apo aspekte negative, duam të përmirësojmë paraqitjen kolektive”. Për formacionin, veçanërisht për João Neves, u shpreh shkurt: “Do ta shohim, nuk dua t’i jap indikacione kundërshtarit”.
The post Luis Enrique para Chelsea: Asnjë dyshim për nivelin tonë, dimë si t’i menaxhojmë këto ndeshje appeared first on Telesport.










