Luftanija Libra bëhet ‘shqiptare’

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me kompaninë italiane, sa i përket sipërmarrjes në fushën e industrisë ushtarake.

Rama ka ndarë pamjet në Facebook, të disa nga momente të nënshkrimit të marrjes në dorëzim të luftanijes “Libra”.

“Nënshkruhet nisja e bashkëpunimit mes shoqërisë Fincantier dhe shoqërisë shqiptare ‘KAYO’ për sipërmarrjen e përbashkët në industrinë ushtarake navale, dhe nënshkrimin e Letrës së Qëllimit për kalimin e anijes ushtarake patrulluese “Libra” në përdorim të Forcës Detare Shqiptare”, është shprehur Rama.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto deklaroi sot se Italia dhe Shqipëria do të forcojnë më tej bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston në të gjitha fushat, veçanërisht në mbrojtje.

Crosetto mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Fincantier dhe shoqërisë shqiptare KAYO për sipërmarrjen e përbashkët në industrinë ushtarake navale, dhe nënshkrimin e Letrës së Qëllimit për kalimin e anijes ushtarake patrulluese “Libra” në përdorim të Forcës Detare Shqiptare.

Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Crosetto tha se “ky i sotmi është një moment i rëndësishëm për ne, sepse është dëshmi konkrete e Italisë ndaj Shqipërisë dhe shpreh gatishmërinë dhe vullnetin tonë të mirë për të bashkëpunuar me Shqipërinë sa i përket mbrojtjes dhe çështjeve me karakter ekonomik”.

“Dhurimi i anijes “Libra” nuk përbën një pikëmbërritje, sikurse e tha më parë ministri Vengu, por një pikënisje e një bashkëpunimi gjithnjë e më të fortë që ekziston mes vendeve tona. Gjithashtu edhe të bashkëpunimit mes forcave tona të armatosura dhe të gjithë sistemit industrial”, nënvizoi Crosseto.

Ministri italian u shpreh se “jetojmë në kohë të vështira ndaj kombet duhet të ndërgjegjësohen që duhet të bashkëpunojnë më ngushtë së bashku. Prej ditës së sotme ne do të rrisim nivelin tonë të bashkëpunimit, i cili nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të rritet dhe të forcohet më tej. Kjo nën gjurmët dhe nën udhëheqjen e kryeministrit Rama dhe kryeministres Meloni për të forcuar këtë bashkëpunim të shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve tona në të gjitha fushat”.