Lucio në kujdes intensiv pas një aksidenti në shtëpi

Ish-mbrojtësi i njohur brazilian, Lucio, fitues i tripletes me Interin në vitin 2010, është shtruar në spitalin e Brasilias të enjten pas një aksidenti shtëpiak.

Sipas raportimeve nga Gazzetta dhe burime të tjera italiane, Lucio ka pësuar djegie në disa pjesë të trupit dhe aktualisht ndodhet nën kujdes intensiv, ku është “i qëndrueshëm, i vetëdijshëm dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm”.

Spitali ka lëshuar një deklaratë zyrtare për të qetësuar opinionin publik dhe tifozët, duke konfirmuar se ish-mbrojtësi i kombëtares së Brazilit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Lucio ka luajtur për Interin dhe Juventusin në Serie A. Me Interin, ai ka fituar një titull kampioni në Serie A, dy Kupa të Italisë, një Ligë të Kampionëve, një Superkupë të Italisë dhe një Kupë të Botës për Klube.

Dje, shumë nga ish-shokët e skuadrës së Lucios që fituan tripletën me Interin, u ribashkuan në Milano për të festuar 80-vjetorin e ish-presidentit Massimo Moratti.