Në prag të ditëlindjes së tij të 80-të, që e feston nesër, më 29 korrik, trajneri i njohur rumun Mircea Lucescu ka dhënë një intervistë për “Tuttosport”, ku ka kujtuar momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.
“Brescia mbetet kujtimi më i bukur, – tha ai, duke folur për fillimet në Itali. – Te Pisa me Anconetanin nuk shkoi mirë, nuk mund të punonim bashkë. Ndërsa Corioni më dha kartë të bardhë. Luanim futboll modern, ndërtonim nga prapavija, kur askush nuk e dinte çfarë do të thoshte kjo. Sot e bëjnë të gjithë.
U ngjitëm menjëherë në Serie A, por më pas ajo skuadër e Brescias u dëmtua shumë nga arbitrimi. Corionit nuk ia ndërtuan stadiumin siç i kishin premtuar. Juventusi ndërtoi stadiumin e vet mbi një ide që e kishte patur Corioni. Në Brescia i dhashë Andrea Pirlos debutimin në Serie A, kur ende nuk kishte mbushur 16 vjeç. I thashë se duhet ta fiksonte në mendje që do të luante për kombëtaren”.
Rumuni zgjodhi Brescia në Serie B përpara Portos në Kupën e Kampioneve: “Gabova pak me firmat, por fjalën e parë ia kisha dhënë Corionit. Pinto da Costa, presidenti legjendar i Portos, nuk ma ka falur kurrë. Çdo herë që jemi përballur gjatë viteve, ma ka përmendur atë çështje”.
Po tek Interi, çfarë nuk funksionoi? “Shkova në momentin e gabuar, por ishte faji im që pranova. Më kishin marrë si trajner të përkohshëm, ndërkohë që qarkullonte tashmë lajmi se në fund të sezonit do të vinte Lippi. Kjo më krijoi probleme me lojtarët që kishin kontrata në skadencë. Ata më thoshin se duhet të luanin për të rinovuar, ndërsa unë gjithsesi nuk do të qëndroja.
Mbërrita në dhjetor dhe në pesë ndeshjet e para shënuam shumë gola, luanim futboll fantastik, por pësonim gola qesharakë. Pas humbjes me Sampdorian vendosa të jepja dorëheqjen për t’u treguar lojtarëve se duhej të merrnin përgjegjësinë për ato rezultate. Moratti ishte i jashtëzakonshëm dhe vazhdoi të ma paguante rrogën edhe pas dorëheqjes”.
The post Lucescu kujton vitet tek Interi: Ja çfarë nuk shkoi, Moratti vazhdoi të më paguante edhe pas dorëheqjes appeared first on Telesport.