Luan në 4 role, Barcelona e shpërblen Eric Garcia me rinovim deri në vitin 2031

Eric Garcia, 24 vjeç, ka firmosur zyrtarisht kontratën e re me Barcelonën, e cila do ta mbajë në “Camp Nou” deri në vitin 2031. Mbrojtësi i gjithanshëm i bashkohet kështu listës së lojtarëve me marrëveshjet më afatgjata në klub, së bashku me Joan Garcia, Ronald Araujo dhe Lamine Yamal. Deri tani, kontrata e tij ishte e vlefshme deri në vitin 2026, por Barça nuk ka pasur asnjë dilemë për vazhdimësinë e tij, duke vlerësuar profesionalizmin dhe paraqitjet shumë të mira.

Nënshkrimi u krye në zyrën e presidentit Joan Laporta, në prani të zv.presidentit Rafa Yuste, drejtorit sportiv Deco dhe menaxherit të lojtarit, Iván de la Peña. Edhe prindërit dhe motra e Eric ishin të pranishëm në ceremoninë e firmës.

Këtë sezon, Garcia është adaptuar në 4 pozicione të ndryshme. Hansi Flick i ka besuar atij si qendërmbrojtës nga të dyja anët, ashtu edhe si mbrojtës i djathtë, madje edhe si mesfushor qendror. Në ndeshjet e fundit, ai është bërë partner ideal i Pedrit në dyshen e mesfushës, duke u kthyer në një element kyç për Barcelonën.

 

 

The post Luan në 4 role, Barcelona e shpërblen Eric Garcia me rinovim deri në vitin 2031 appeared first on Telesport.