Lotët e Messit në Botëror për babanë e tij Jorge: “Ai ka një problem mjaft serioz shëndetësor”

“Është një çështje që nuk ka aspak lidhje me futbollin. Kam kaluar disa ditë të vështira dhe dua t’i falënderoj të gjithë shokët e skuadrës, sepse kanë qenë gjithmonë pranë meje”.

Këto ishin fjalët e Leo Messit pas ndeshjes Argjentinë–Algjeri, sfida e parë e “Albiceleste” në Botërorin 2026, kur u pyet për arsyen e lotëve të derdhur në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv menjëherë pasi shënoi golin e parë nga tre të realizuarit. Kjo tripletë e bëri golashënuesin më të mirë të fazës finale të Kupës së Botës, së bashku me Miroslav Klose, me nga 16 gola.

Leo Messi nel 2003 col padre Jorge, la madre Celia, i due fratelli, la sorella e un nipote

Vetëm pak orë më vonë, një gazetar argjentinas zbuloi arsyen e vërtetë të emocioneve të kapitenit të Argjentinës: gjendja e rënduar shëndetësore e babait të tij, Jorge Messi.

“Ka të bëjë me babanë e tij, – shpjegoi Eduardo Feinmann në emisionin e “Radio Mitre”. – Babai i tij nuk është mirë me shëndet. Prej muajsh, që nga viti i kaluar, Jorge po përballet me një problem mjaft serioz shëndetësor. Pikërisht gjatë kësaj jave kanë ndodhur disa zhvillime që e kanë përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e tij dhe Messi po e vuan së tepërmi këtë situatë personale”.

Bëhet fjalë për një çështje tërësisht private, e cila kuptohet se nuk mund ta lërë të qetë Leo Messin sa herë zbret në fushë. Pavarësisht se mbi të janë të drejtuar sytë e gjithë botës, është e pamundur të mos e ketë mendjen te babai i tij.

Marrëdhënia mes Jorge Messit dhe 8 herë fituesit të “Topit të Artë” ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë. Jorge ka qenë mbështetësi më i madh i Leos që në fëmijëri. Ai punonte si punëtor në një fabrikë çeliku në qytetin e tyre të lindjes, Rosario, drejtonte ekipin lokal të moshave dhe e shoqëroi djalin në çdo hap të rrugëtimit të tij futbollistik, përfshirë edhe vendimin e vështirë për t’u transferuar në Barcelonë në moshën 13-vjeçare, në mënyrë që Leo të merrte trajtimin për problemin e hormonit të rritjes.

68-vjeçari është prej shumë vitesh edhe menaxheri i Messit, duke administruar një pjesë të madhe të çështjeve të tij profesionale. Vetë Leo ka treguar shpesh se pas çdo ndeshjeje kërkonte mendimin dhe miratimin e babait, të cilin e konsideron një nga figurat më të rëndësishme në jetën e tij.

Një lidhje kaq e fortë shpjegon edhe gjendjen e rënduar emocionale që po përjeton kampioni argjentinas në këtë fillim të Botërorit.

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe mjekër

DEKLARATA E FAMILJES “MESSI”
Familja Messi njofton se Jorge Messi aktualisht po kalon një situatë delikate shëndetësore: “Në këtë kohë, ai është nën mbikëqyrje mjekësore, duke u rikuperuar dhe përparuar në mënyrë të favorshme brenda gjendjes që po përjeton.

Në dritën e raporteve, thashethemeve dhe spekulimeve që kanë qarkulluar gjatë orëve të fundit, familja dëshiron të shprehë shqetësimin e thellë në lidhje me mungesën e ndjeshmërisë, respektit dhe diskrecionit me të cilin disa individë kanë trajtuar një çështje familjare rreptësisht private.

Familja gjithashtu dëshiron të sqarojë se vetëm familja e Jorge ka informacione reale, të sakta në lidhje me gjendjen e tij. Prandaj, çdo deklaratë apo informacion që nuk vjen direkt nga familja dhe kanalet zyrtare të saj, nuk duhet të konsiderohet i vlefshëm apo i vërtetë.

Në kohë si këto, ne kërkojmë përgjegjësi dhe humanizëm. Shëndeti i një personi dhe qetësia shpirtërore e të dashurve të tij nuk duhet të jenë subjekt i spekulimeve apo vëmendjes së papërgjegjshme mediatike.

Ne i vlerësojmë sinqerisht shprehjet e dashurisë, respektit dhe shqetësimit që kemi marrë dhe kërkojmë që privatësia, konfidencialiteti dhe hapësira personale e Jorge – si dhe ajo e gjithë familjes së tij – të respektohen gjatë gjithë këtij procesi.

Çdo përditësim përkatës do të komunikohet në kursin e duhur nga familja dhe nëpërmjet kanaleve përkatëse. Faleminderit për mirëkuptimin!”

The post Lotët e Messit në Botëror për babanë e tij Jorge: “Ai ka një problem mjaft serioz shëndetësor” appeared first on Telesport.