Reperja shqiptare me famë ndërkombëtare, Loredana Zefi, nuk do të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit “Sunny Hill”, që po mbahet këto ditë në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar vetë artistja përmes një shkrimi në InstaStory, duke bërë të ditur se ka qenë e detyruar të tërhiqet për shkak të arsyeve personale.
Loredana ishte përfshirë në line-up-in zyrtar të publikuar më 16 maj, ku emri i saj u rendit ndër artistët që do të performonin në njërën nga netët e festivalit. Por në postimet dhe posterat e mëvonshëm të organizatorëve, emri i saj nuk figuroi më, duke ngritur dyshime tek fansat për një ndryshim të mundshëm në program.
Pikërisht për të sqaruar këtë situatë, Loredana zgjodhi të ndajë një mesazh të ndjerë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale: “Me keqardhje nuk do të mund të marr pjesë këtë vit në Sunny Hill Festival për shkak të arsyeve personale, por jam e sigurt që do të jetë një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë ju. Ndoshta do të mund ta vizitoj ndonjëherë, kush e di!”.
Ajo gjithashtu shprehu krenarinë për festivalin dhe zhvillimin e skenës muzikore në Kosovë: “Jam shumë e lumtur që Kosova po pret një nga festivalet më të mëdha në Evropë, dhe ndihem jashtëzakonisht krenare që po shoh kaq artistë të jashtëzakonshëm duke performuar atje. Ju uroj gjithë të mirat nga thellësia e zemrës, shijojeni në maksimum dhe ju lutem, argëtohuni për mua gjithashtu!”.

Përkundër mungesës së saj, mesazhi i Loredanës u mirëprit nga fansat të cilët shprehën mirëkuptim dhe shpresën për ta parë sërish në skenë në edicionet e ardhshme të festivalit.