Mbretëria e Bashkuar të mërkurën ka sanksionuar rrjetin kosovar “Rrjeti Krasniqi” që e akuzon për falsifikim dokumentesh për banda kriminale.
Lidhur me këtë ka reaguar Prokuroria Speciale ku në komunikatën e lëshuar thuhet se kanë mirëpritur këtë vendim të Mbretërisë së Bashkuar dhe se rasti po trajtohet me prioritet nga ta.
“Prokuroria Speciale e Kosovës mirëpret vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të Regjimit Global të Sanksioneve kundër Migracionit të Parregullt, i cili synon të luftoj rrjetet e krimit të organizuar të imigracionit që operojnë në Ballkanin Perëndimor. Rasti është duke u trajtuar me prioritet nga Prokuroria Speciale. Prokuroria Speciale do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe me të gjitha vendet partnere, duke mbetur një aktore konstruktive dhe e besueshëme në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, si dhe në promovimin e sigurisë dhe drejtësisë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Qeverisë britanike të bërë sot në faqen zyrtare, “Rrjeti Krasniqi”, përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.
Aty thuhet se grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar.
Të sanksionuarit janë:
Burim Krasniqi, udhëheqësi i rrjetit Krasniqi.
Arif Krasniqi, ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre.
Flamur Krasniqi, anëtar i grupit që u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara.
Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimin e shërbimeve të grupit.
Nexhmije Selmani, ka siguruar ambiente të përdorura nga grupi për falsifikimin e dokumenteve dhe është përfshirë në sigurimin e pajisjeve për falsifikim.
Endrit Ermellahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Shkembim Ermellahu, anëtar i grupit që u gjet në posedim të dokumenteve të falsifikuara
Ata janë ndaluar të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe janë përjashtuar nga sistemi financiar britanik, si pjesë e fushatës së qeverisë kundër bandave që shfrytëzojnë një rrugë kyçe tranziti për migrimin e paligjshëm.