Lokalizohet një zj*arr i madh afër Manastirit të Deviçit – Ndërhyjnë Policia, Zjarrfikësit, NJSO dhe KFOR-i

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer pasditen e së hënës në zonën malore pranë Manastirit të Deviçit, një objekt i trashëgimisë kulturore dhe fetare në komunën e Skenderajt.

Policia e Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore të Skenderajt, në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë ndërhyrë me urgjencë për të lokalizuar zjarrin, i cili përfshiu një sipërfaqe të gjerë dhe iu afrua rrezikshëm Manastirit dhe shtëpive përreth.

Për të menaxhuar situatën nga afër, në vendngjarje kanë dalë edhe eprorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Jugut dhe nga Stacioni Policor në Skenderaj. Përforcime të mëtejshme janë angazhuar përmes Njësisë Speciale Operative (NJSO) dhe trupave të KFOR-it, të cilët ofruan asistencë të drejtpërdrejtë – NJSO me topa uji dhe KFOR-i me helikopterë për shuarjen nga ajri.

Falë këtij bashkëpunimi ndërinstitucional, është arritur të shmanget përfshirja nga zjarri e Manastirit të Deviçit dhe banesave përreth. Operacioni për lokalizimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit ka vazhduar gjatë tërë natës dhe ditës së sotme, nën drejtimin dhe përkushtimin e njësive të Zjarrfikësve, Policisë dhe KFOR-it.

Ndërkohë, Njësia e Hetimeve të Policisë në Skenderaj ka nisur grumbullimin e provave dhe dëshmive në vendngjarje. Sipas personit përgjegjës të Manastirit, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga telat elektrikë, të dëmtuar për shkak të erërave të forta që kanë goditur zonën një ditë më parë.

Hetimet për rrethanat e plota të incidentit janë në vazhdim.

The post Lokalizohet një zj*arr i madh afër Manastirit të Deviçit – Ndërhyjnë Policia, Zjarrfikësit, NJSO dhe KFOR-i appeared first on Kosovapost.net.