Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka sqaruar se paraqitja e logove të komunave në platformën digjitale E-Komunat është çështje teknike dhe administrative.
Përmes një reagimi zyrtar, nga MAPL kanë bërë të ditur se gjatë fazës së parë të implementimit të platformës E-Komunat, e zhvilluar në vitin 2023, të gjitha komunat e Republikës së Kosovës kanë qenë të dizajnuara dhe të paraqitura me simbolet dhe logot e tyre zyrtare, përfshirë edhe komunat si: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
MAPL tutje njofton se duke marrë parasysh faktin se këto katër komuna kanë ndryshuar dhe miratuar logot e reja zyrtare gjatë vitit 2025, në koordinim të ngushtë me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), është aktualisht në proces të përditësimit të këtyre logove në platformën E-Komunat.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka njoftuar gjithashtu se të gjitha logot zyrtare të komunave do të përditësohen dhe pasqyrohen në profilet përkatëse të secilës komunë, në përputhje me vendimet zyrtare dhe standardet institucionale.










