Llazareviq: Serbia po tërhiqet nga Kosova, me rëndësi që serbët të qëndrojnë

Redaktorja e KoSSev, Tatjana Llazareviq, paralajmëron se Serbia po tërhiqet gradualisht nga Kosova, ndërsa shpejtohet fshirja e gjurmëve të fundit të Republikës së Serbisë në Kosovë. Ajo thekson se është thelbësore që serbët të qëndrojnë dhe të jetojnë në tokën e tyre, pa marrë parasysh emrin që ajo mban.

Marrëveshjet e fundit të bisedimeve në Bruksel kanë lejuar zbatimin e Ligjit për Automjetet, ndërsa Ligji për të Huajt ka marrë një afat shtesë 12-mujor për implementim. U vendos që studentët, profesorët dhe punonjësit e shëndetësisë serbë të marrin leje qëndrimi të përkohshme, për të mos ndërprerë shërbimet arsimore dhe shëndetësore, transmeton Paparaci.

Llazareviq shpreh shqetësim për integrimin e universitetit, shkollave dhe spitaleve serbe në sistemin kosovar, duke paralajmëruar rrezikun që kjo mund të çojë në zhdukjen e institucioneve serbe dhe madje edhe largimin e serbëve nga Kosova. Sipas saj, kjo duket si pjesë e një strategjie të gjatë për të larguar prezencën e Serbisë në Kosovë, që ka filluar pas luftës dhe u intensifikua pas procesit të Brukselit dhe sundimit të Partisë Përparimtare Serbe të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Tani, në këtë taktikë dhe strategji të tërheqjes së Serbisë nga Kosova, po fshihen shpejt gjurmët e fundit të Republikës së Serbisë”, ka shtuar Llazareviq. “Kjo shihet veçanërisht në fazën më të re – që nga largimi i serbëve nga institucionet kosovare në fund të vitit 2022, e më pas edhe ngjarjet në Banjskë”.

“Unë kam paralajmëruar disa herë dhe do ta bëj përsëri, frika ime është se, nëse ky trend vazhdon – dhe të gjitha shenjat tregojnë se po shkon në këtë drejtim – jo vetëm që do të mbyllen institucionet e Serbisë, por do të flasim edhe për tërheqjen e qenies dhe strukturës së shtetit serb – që janë vetë serbët e Kosovës – duke mos u lënë atyre asnjë mundësi tjetër përveç largimit së bashku me administratën dhe shtetin”, ka përfunduar Lazareviq./Paparaci.com