Lladrovcit i vjen një “ofertë” nga një parti politike?

Besnik Krasniqi, kryetar i degës së Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK) në Prizren, i cili njëherësh është edhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka shkruar për situatën e krijuar me Ramiz Lladrovcin, përcjell Fokusi.info.

Krasniqi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se nëse Lladrovci do të kthehej në AAK, do të mirëpritej me nder.

“Nëse Ramiz Lladrovci do të vendoste të rikthehej në shtëpinë e tij të vjetër politike – në AAK – ai do të ishte i mirëpritur me nder. Aleanca është dhe mbetet shtëpia ku mblidhen ata që nuk janë përkulur as dje, as sot. Dhe kush e njeh këtë shtëpi, e di që kthehet aty ku i përket”, ka shkruar Krasniqi.

Deri më tani, nuk dihet nëse Lladrovci do të kandidojë me ndonjë subjekt politik apo do ta vazhdojë garën për kryetar të Drenasit si i pavarur.

Në reagimin e tij, Lladrovci ka bërë të ditur se s’do të tërhiqet nga gara për të parin e Drenasit.

“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di. Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre. Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”, ka shkruar Lladrovci.