Lladrovci: Drenasi po përjeton vërshime për t’u mbajtur mend, dhjetëra shtëpi e biznese nën ujë

Komuna e Drenasit është përfshirë nga vërshime të mëdha gjatë ditës së sotme, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se nga orët e mëngjesit niveli i ujit është rritur vazhdimisht, duke shkaktuar vërshimin e dhjetëra shtëpive, bizneseve dhe hapësirave publike.

Sipas tij, për shkak të situatës së rënduar, është ndërprerë qarkullimi në disa rrugë kryesore, përfshirë drejtimin për në Komoran, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve, ndërsa vështirësi janë paraqitur edhe te ura e Shtrubullovës. Dalja në magjistrale aktualisht po bëhet përmes rrugëve alternative.

Lladrovci ka njoftuar se qindra hektarë tokë bujqësore janë të vërshuara, ndërkohë që energjia elektrike është ndërprerë për shkak të rrezikut ndaj trafos kryesore të komunës. Ai paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë vështirësi edhe në furnizimin me ujë të pijshëm.

Kryetari i Drenasit ka falënderuar Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu për gatishmërinë e treguar për përkrahje, si dhe ministrat në detyrë Elbert Krasniqi dhe Hysen Durmishi, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, qytetarët për solidaritetin e treguar, zyrtarët komunalë dhe institucionet e tjera të angazhuara në menaxhimin e situatës.

Ai ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë, derisa autoritetet po vazhdojnë angazhimin për tejkalimin e gjendjes së krijuar./Demokracia.com/