Lladrovci: Asnjëherë nuk e kam shantazhuar Thaçin, Lushtaku më ka luftuar

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur për raportet e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Sami Lushtakun, duke hedhur poshtë pretendimet për kërcënime apo shantazhe ndaj Thaçit përmes audio-incizimeve me Adem Jasharin.

“Unë kam incizime të Adem Jasharit nga viti 1993 e deri ditën që është vrarë. Unë kam komunikuar gjithmonë me Adem Jasharin, por në prezencë të Lulzim Jasharit. I kemi incizuar bisedat dhe kemi thënë t’i ruajmë. Asnjëherë në jetën time nuk e kam shantazhuar Hashim Thaçin, kam bashkëudhëtuar me të. Para Adem Jasharit, e kam njohur Hashim Thaçin. Adem Jasharin e kam njohur përmes Jakup Nurës dhe kemi vazhduar të bashkëpunojmë e të dalim në aksione bashkë”, ka thënë Lladrovci.

“Deri në ditën që është vrarë Adem Jashari, çdo herë kam komunikuar bashkë me Lulzim Jasharin përmes telefonit tim. E kemi incizuar me zë, e kemi të gjithë, është arkiv e Familjes Jashari. Ata vendosin a ta publikojnë a jo, çka kemi fol për luftën, organizimet, etj…Mua më ka emëruar Adem Jashari me qenë përgjegjës për jashtë për grupin e Adem Jasharit, me letër dhe nënshkrim të tij. Nuk ka as për këtë as për atë, kemi folur për luftën, njerëzit dhe gjithçka. Familja e vlerëson a janë në interes të publikut a jo”, ka thënë Lladrovci, duke mohuar që incizimet që posedon në bisedën me Adem Jasharin mund të kenë ndërlidhje me situatën e tij të përçarjes me strukturat e PDK-së.

“Mua më ka thirr dy herë Hashim Thaçi në telefon nga Haga. Më ka thirr pas zgjedhjeve të 2021 duke thënë ‘kam qejf të ju shoh bashkë me Sami Lushtakun, s’kam qejf me ju pa keq”, ka thënë ai.

Por, Lladrovci ka thënë se Sami Lushtaku e ka luftuar dhe nuk kanë arritur të bashkëpunojnë.

“Ne kemi pasur takime në nëntor të 2022-ës në Fushë Kosovë, kemi arritur gati të dakordohemi por ai ka thënë ‘eja shkojmë, takohemi një ditë tjetër’. Unë i kam thënë e di që s’po dëshiron ta bësh bashkimin, ti e kërkon bashkimin vetëm kur vijnë zgjedhjet qendrore sepse kërkon vota për Ganen, djalin tënd…Ka filluar prapë të më luftoj. Kur më lufton unë duhet t’i tregoj qytetarëve të mi që zot shtëpie në Drenas jam unë”, ka thënë ai në RTK Prime.

The post Lladrovci: Asnjëherë nuk e kam shantazhuar Thaçin, Lushtaku më ka luftuar appeared first on Kosovapost.net.