Kryetari i sapozgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se do ta mbështesë në balotazh kandidatin e PDK-së për Kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirin, në garën e tij kundër Faton Pecit të VV-së.
“Unë kam shumë miq të cilët kanë mbetur në balotazh. Ndihma jem do të jetë e pakursyer në Mitrovicë, sepse Ariani e meriton mbështetjen, po është edhe vendlindja e kryetarit tim, Kadri Veseli”, tha Lladrovci në hapjen e zyrës aty ku ishte selia e degës së PDK-së në Drenas.
Përveç se në Mitrovicë, ai theksoi se do t’i ndihmojë edhe kandidatit të PDK-së në Klinë, Sokol Bashotës, i cili përballet në balotazh me Zenun Elezajn e AAK-së.
“Por, do të provoj t’i ndihmoj edhe mikut tim të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të organizimeve të hershme, Sokol Bashota”, shtoi.
Lladrovci në zgjedhjet e së dielës garoi dhe fitoi pa balotazh me iniciativë qytetare në qytetin e Drenasit, pasi që kryesia e PDK-së nuk e lejoi që të rikandidojë edhe për një mandat si Kryetar i Drenasit. Ata e kandiduan Petrit Hajdarin.
Por, ai gjatë gjithë fushatës ka thënë se është pjesë e PDK-së dhe pas fitores do të rikthehet si Kryetar i degës së kësaj partie në Drenas.