Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh.
Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, përfshirë diasporën ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Votimi brenda Kosovës do të organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.
Tension në Shtime: Arrestohet i moshuari, shkak votimi për gruan me probleme me shikim
Një person i moshuar është arrestuar në Shtime pasi dyshohet se ka shkaktuar telashe në një qendër votimi lidhur me kërkesën për të votuar në emër të bashkëshortes së tij.
Sipas informacioneve fillestare, bashkëshortja e tij kishte probleme me shikimin, ndërsa rasti lidhet me procedurat për votimin me asistencë.
Klankosova.tv do të iu mbajë të informuar lidhur me rastin.
83-vjeçari: Ne po votojmë, por s’po kemi hajër prej tyre
Ekipi i Klan Kosovës e ka përcjellur nga afër votimin e 83 vjeçarit Ali Hasanmetaj, në Strellc të Deçanit.
Hasanmetaj votoi në shtëpinë e tij ku u vizitua nga ekipet mobile.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Por, pati edhe kritika nga ana e tij.
“Pasha Zotin, ne po votojmë, por s’po ka hajër prej tyre. Pasha Zotin kur po ulen në karrige populli po mbetet prapë ashtu. A po e sheh? Që 3-4 here ton këto pare që kanë shku. Ma mirë do të ishte me miratu diçka ose me ia dhënë popullit”, deklaroi 83-vjeçari për Klan Kosovën.
I moshuari që u arrestua në Shtime shqeu fletëvotimin kur iu ndalua të votojë për bashkëshorten
Menaxherja e qendrës së votimit, Floreta Abazi Gashi, ka bërë të ditur se rreth orës 11:20, në një vendvotim në Shtime, një person i moshuar ka insistuar që të ushtrojë të drejtën e votës edhe për bashkëshorten e tij.
Sipas saj, kryesuesi i vendvotimit ka kërkuar që të ndiqen procedurat dhe të paraqitet dokumentacioni i nevojshëm për votim me asistencë. Pas kësaj, ka pasur reagime nga qytetari, ndërsa është njoftuar Policia e Kosovës.
“Komunikimi ishte me ton të lartë. Shqetësimi ka ndodhur pasi ai ka marrë fletëvotimin dhe e ka shfrytëzuar rastin për ta dëmtuar atë, pa e ushtruar të drejtën e tij të votës”, ka deklaruar Abazi Gashi.







