Listat e veteranëve: Qeveria do të nis ‘pastrimin’ pasi të pranojë vendimin e gjykatës

Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të respektojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka obliguar këtë institucion për të bërë riverifikimin e 19,500 veteranëve që pretendohet se nuk plotësuan kriteret për statusin e tyre.

Megjithatë, puna për riverifikim do të nisë vetëm pasi Qeveria të pranojë vendimin e plotë të Gjykatës në rastin e njohur si “Veteranët”.

Ndërsa e konsiderojnë vendimin si të motivuar politikisht, edhe organizatat e dala nga lufta kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në këtë proces.

Në vendimin e saj, Gjykata ka dënuar 10 nga 12 të akuzuar për keqpërdorim të statusit të veteranit dhe ka obliguar Qeverinë që përmes komisioneve përkatëse të bëjë rishqyrtimin e listës së veteranëve.

Këshilltari i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici, tha përmes telefonit se janë duke pritur aktgjykimin e plotë për të parë më pas mënyrën e veprimit.

Edhe në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së janë shprehur të gatshëm për ndihmë, megjithëse kanë vlerësuar vendimin e Gjykatës si të ndikuar politikisht.

“Organizata e veteranëve është e gatshme të ndihmojë jo vetëm Qeverinë, por edhe institucionet e sigurisë për të zbardhur të vërtetën. Megjithatë, jam skeptik nëse Qeveria në detyrë ka kompetenca për të themeluar një komision të ri, duke pasur parasysh se nuk ka organ tjetër që mund të bëjë riverifikimin përveç komandantëve”, tha Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se duhet pritur që vendimi të bëhet i plotfuqishëm, dhe se pastaj do të jetë shumë më e lehtë të pastrohen listat e veteranëve.

“Komisioni i zyrës së Kryeministrit, kurdo që formohet, duhet të kryejë detyrat e tij në bazë të ligjit për të siguruar integritetin e këtij procesi dhe për t’u njohur kontributi veteranëve të vërtetë të UÇK-së,” tha Ehat Miftaraj nga IKD.

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të tjerë të akuzuar në rastin “Veteranët”: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Nga akuzat u liruan Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.

I dënuari Shukri Buja ka reaguar gjatë ditës, duke e quajtur vendimin “qesharak” dhe të ndikuar politikisht, raporton RTVDukagjini”.

The post Listat e veteranëve: Qeveria do të nis ‘pastrimin’ pasi të pranojë vendimin e gjykatës appeared first on Kosovapost.net.