Lista Serbe ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkak të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos i publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor për këtë parti.
“Në emër të Listës Serbe sapo është dorëzuar ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të paligjshëm, antiserb dhe diskriminues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilin është refuzuar publikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare për partinë tonë, respektivisht janë mohuar 42.759 vota të serbëve”, thuhet në njoftim.
Ata shpresojnë se Paneli do të marrë vendim në përputhje me ligjin.
“Presim që Paneli Zgjedhor ta anulojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin, me ç ‘rast do të mbrojë të drejtat e popullit serb, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, pretendohet në mesazhin e Listës Serbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, por jo edhe për Listën Serbe.
Pas këtij vendimi, anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Igor Simić, duke paralajmëruar ankesën, tha se bëhet fjalë për një vendim të turpshëm që tregon se KQZ-ja e ka humbur epitetin e institucionit të pavarur./Paparaci.com










