Lista Serbe ankohet ndaj KQZ-së për mosshpalljen e rezultateve përfundimtare

Igor Simiq nga Lista Serbe e ka cilësuar të jashtëligjshëm refuzimin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia bëri shpalljes së rezultateve përfundimtare të këtij subjekti politik.

Këtë refuzim ai e cilësoi si të motivuar politikisht. Simiq ka paralajmëruar se Lista Serbe do të ankohet për këtë vendim.

“Sapo jemi njoftuar nga KQZ-ja në Prishtinë se anëtarët e KQZ-së jashtëligjshëm kanë refuzuar të shpallin rezultatet përfundimtare kur bëhet fjalë për votat e fituara nga Lista Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 28 dhjetor të vitit të kaluar. Me këtë, sikur edhe pati nisur ky proces zgjedhor dhe në rastet e mëhershme, regjimi i Albin Kurtit po përpiqet ta bëjë të pamundur që serbët të zgjedhin përfaqësuesit politikë që do të luftojnë për interesat e popullit serb”, ka thënë Simiq, sipas mediumit në gjuhën serbe “Kossev”.

Të shtunën, KQZ-ja i shpalli rezultatet përfundimtare për të gjitha partitë tjera, por duke refuzuar atë të Listës Serbe. KQZ-ja ndau shpalljen e rezultateve në tri votime.  E në rastin e Listës Serbe, shpallja nuk mori mbështetjen e nevojshme.