Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, i cili u arrestua nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, është liruar nga masa e paraburgimit.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Ahmet Tahiri, i cili shtoi se “epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”.
“Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij,” ka shkruar Tahiri në Facebook.
Hafizi ishte arrestuar në Aeroportin e Prishtinës më 10 tetor 2024 kurse që nga 11 tetori 2024 gjendej në paraburgim.
Ai dyshohet se kundërligjshëm ka ndikuar në faljen dhe uljen e borxheve për kompanitë që merren me ambalazhimin e ujit.