Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me nofkën “Gjesti”, është liruar tani nga paraburgimi një javë pas arrestimit të tij në Prishtinë, transmeton IndeksOnline.
Gjesti ishte arrestuar më herët nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas intervistimit ishte dërguar fillimisht në mbajtje për 48 orë. Më pas, ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë.
Sipas dyshimeve të ngritura, ai akuzohej për disa vepra penale, përfshirë “Kanosje”, “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë” si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, burime bëjnë të ditur se pas një jave qëndrimi në paraburgim, ndaj tij është ndryshuar masa e sigurisë, duke u liruar për t’u mbrojtur në procedurë të rregullt.
Rasti ndaj këngëtarit pritet të vazhdojë në organet e drejtësisë.










