Isni Kilaj është liruar përkohësisht me kusht nga Gjykata Special, pas shqyrtimit më të fundit të paraburgimit nga Gjyqtari i Vetëm i Gjykatës së Lartë në rastin Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajit, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit (“Rasti 12”).
Lidhur me këtë ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët e kanë mirëpritur këtë lajm.
Nga OVL është thënë se vendimi rikthen një të drejtë të tij që i është mohuar padrejtësisht për një kohë të gjatë.
Postimi:
OVL UÇK i gëzohet lajmit për lirimin me kusht të bashkëluftëtarit tonë, z. Isni Kilaj, nga Gjykata Speciale.
Ky vendim rikthen një të drejtë të tij që i është mohuar padrejtësisht për një kohë të gjatë, njësoj siç po vazhdon të mohohet edhe për bashkëluftëtarët e tjerë që mbahen ende në paraburgim.
Për ne, ky zhvillim përbën një hap drejt reflektimit të domosdoshëm nga ana e kësaj gjykate, e cila deri më tani ka refuzuar të respektojë të drejta të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.










