Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
Në kontekstin e zhvillimeve të fundit në politikën kosovare dhe përpjekjeve për konstituimin e institucioneve shtetërore, shtrohet një pyetje thelbësore: Për çka, në të vërtetë, luftuam dhe sakrifikuam? Idealet e gjeneratave të tëra kanë qenë të përqendruara në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të barabartë, gjithëpërfshirëse duke eliminuar çdo formë diskriminimi ndaj grupeve të ndryshme shoqërore. Ëndërruam të bëhemi një shtet me demokraci të konsoliduar, konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, veçanërisht në raport me komunitetet jo-shumicë. Megjithatë, asnjëherë nuk e kemi përfytyruar se konsensusi dhe gjithëpërfshirja do të duhej të aplikoheshin, në radhë të parë, ndërmjet vetë pjesëtarëve të komunitetit shumicë në Kosovë (shqiptarëve).
Si pasojë e mungesës së një kulture demokratike që legjitimon normat, vlerat dhe sjelljen demokratike, vendi ynë (Kosova) ka institucionalizuar një qasje të centralizuar në vendimmarrje, klientelizëm të theksuar, përfaqësim të interesave të ngushta partiake dhe përjashtim sistematik të grupeve të caktuara shoqërore.
Edhe pse strukturat institucionale dhe socio-ekonomike janë të një rëndësie të pazëvendësueshme, demokracia kërkon gjithashtu baza kulturore të qëndrueshme, veçanërisht ekzistencën e një kulture politike demokratike që i jep legjitimitet dhe forcë normave, vlerave dhe sjelljeve demokratike (Manfred G. Schmidt). Sipas Schmidt, orientimet kulturore të thelluara ndaj të drejtave individuale, pluralizmit, kompromisit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve janë thelbësore për konsolidimin demokratik. Në shoqëritë ku mbizotërojnë vlerat autoritare, ose ku cinizmi dhe apatia politike janë të përhapura, institucionet demokratike janë të brishta dhe të ekspozuara ndaj erozionit institucional.
Për më tepër, demokracitë e suksesshme, si ato të vendeve skandinave apo Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, janë ndërtuar mbi themele të forta kulturore si edukimi qytetar, një jetë asociative aktive dhe një nivel i lartë i besimit në institucione. Këto elementë përfaqësojnë bazamentin kulturor që e favorizon qeverisjen demokratike. Për Schmidt, pra, parakushtet kulturore nuk janë vetëm variabla të sfondit, por komponentë thelbësorë për qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e demokracisë.
Në këtë kontekst, duhet theksuar se demokracia dhe partitokracia përfaqësojnë forma të ndryshme të organizimit politik, të cilat jo rrallëherë funksionojnë brenda strukturave të njëjta institucionale. Ndërsa demokracia kuptohet gjerësisht si një sistem qeverisjeje i bazuar në vullnetin e qytetarëve, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmes përfaqësuesve të zgjedhur, partitokracia i referohet një sistemi ku, në realitet, janë partitë politike që ushtrojnë kontroll të plotë mbi procesin politik, shpeshherë në dëm të pjesëmarrjes dhe vullnetit qytetar.
Siç do të duhej ditur, elementët thelbësorë të një sistemi demokratik përfshijnë: zgjedhje të lira dhe të ndershme; pluralizëm politik; sundim të së drejtës; kushtetutshmëri; ndarje të pushteteve; mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore; si dhe pjesëmarrje aktive qytetare. Rrjedhimisht, legjitimiteti i një qeverisjeje demokratike mbështetet në përgjegjshmërinë ndaj vullnetit të popullit, llogaridhënien e liderëve politikë dhe mekanizmat institucionalë që garantojnë transparencën dhe balancimin e pushteteve.
Nga ana tjetër, partitokracia është një term që përdoret për të përshkruar një sistem politik në të cilin partitë politike ushtrojnë kontroll të tepruar dhe joproporcional mbi aparatin shtetëror, duke margjinalizuar shpesh institucionet e tjera demokratike. Në një regjim partitokratik, partitë shndërrohen në mekanizmat kryesorë, madje edhe ekskluzivë, të ushtrimit të pushtetit politik, duke e reduktuar rolin e përfaqësuesve individualë dhe duke e zbehur ndikimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin vendimmarrës. Ndryshe nga demokracia, e cila thekson sovranitetin popullor, partitokracia priret ta zhvendosë pushtetin në duart e udhëheqësive partiake dhe burokracive. Vendimmarrja bëhet e centralizuar brenda elitave partiake, gjë që shpesh rezulton në patronazh, klientelizëm dhe sjellje të ngjashme me kartelet politike midis partive të konsoliduara. Pra, fokusi zhvendoset nga interesi publik drejt interesit të ngushtë partiak apo qarqeve të ngushta të interesit.
Veçoritë kryesore të partitokracisë përfshijnë: dominimin e partive politike mbi institucionet shtetërore; kontrolli i rreptë partiak mbi përzgjedhjen e kandidatëve dhe listave zgjedhore; mungesa e demokracisë së brendshme partiake; përgjegjshmëria e kufizuar, pothuajse joekzistente, ndaj preferencave dhe nevojave të qytetarëve; si dhe thellimi i pushtetit të elitave politike dhe mungesa e mekanizmave efektivë të llogaridhënies.
Shembuj të sistemeve partitokratike të qeverisjes janë: Italia e pas luftës së dytë botërore deri në vitin 1990, ku Demo-kristianët dhe socialistët, për dekada të tëra kanë kontrolluar të gjitha aspektet e jetës publike, përfshirë emërimet në administratë, media dhe ndërmarrjet publike; Meksika e qeverisur nga Partia Institucionale Revolucionare e cila ushtronte kontroll të plotë mbi gjyqësinë, mediat dhe mekanizmat zgjedhor; Greqia, në periudhën 1974-2010, nëpërmjet qeverisjes së partisë Demokracia e Re dhe PASOK, të cilat shfrytëzuan resurset shtetërore për të krijuar rrjete të tëra të patronazhit dhe për të siguruar besnikërinë partiake. Rrjedhimisht, u krijua një sistem qeverisës klientelist duke manifestuar mungesë të madhe të efikasitetit të sektorit publik.
Ndërsa demokracia synon të nxisë pjesëmarrjen qytetare dhe të promovojë pluralizmin, partitokracia mund të shtypë mospajtimin brenda dhe jashtë partive, duke e përqendruar pushtetin në duart e udhëheqësve partiakë. Në format e saj ekstreme, kjo mund të çojë në regres demokratik dhe kapje institucionale. Rritja e partitokracisë paraqet një sfidë serioze për integritetin dhe legjitimitetin e sistemeve demokratike. Kur partitë politike monopolizojnë funksionet shtetërore dhe e reduktojnë autonominë e institucioneve, parimi i përfaqësimit demokratik minohet. Andaj, qytetarët mund të ndihen të zhgënjyer, të shpërfaqin apati elektorale dhe humbje serioze të besimit në institucione. Pikërisht kjo është duke ndodhur në Kosovë.
Për të parandaluar fuqizimin e mëtëjmë të partitokracisë në Kosovë, duhet fuqizuar demokracia e brendshme e partive politike dhe të inkurajohet aktivizmi qytetarë përtej partive politike. Gjithashtu, duhen fuqizuar institucionet e pavarura administrative dhe të vendosen kufinjë të qartë ndërmjet institucioneve politike dhe atyre administrative.
Ndonëse partitë politike janë instrumente thelbësore të qeverisjes demokratike, dominimi i tyre i pakufizuar i shndërron ato nga instrumente lehtësuese të demokracisë në pengesa për funksionimin e saj. Pra, duhet rivendosur një barazpeshë në mënyrë që demokracia të përmbushë funksionin e saj parësor: të përfaqësojë dhe t’i përgjigjet vullnetit të qytetarëve, e jo të shërbejë për vendosjen e pushtetit partiak (partitokracisë).
Atëherë kur partitë politike ta ndjejnë fuqinë dhe presionin e drejtpërdrejt të qytetarëve të organizuar, që i sjellin para përgjegjësisë për të adresuar nevojat, të drejtat e tyre dhe interesin e përgjithshëm shoqëror, atëherë dhe vetëm atëherë kemi dëshmuar se kush është sovrani në këtë shtet. Deri sa të mungoj kjo vetëdije qytetare në Kosovë, vazhdojmë me partitokracinë!
(Autori është profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative)