Mungesa e informimit të mjaftueshëm rreth pranisë së elementit kimik mangan në ujin e pijshëm, ka shkaktuar shqetësim te qytetarët e Prishtinës, veçanërisht në lagjet që furnizohen nga Liqeni i Badocit.
Prej 1 shtatorit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, kanë njoftuar për përkeqësim të cilësisë së ujit vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, pa ofruar shpjegime të qarta për rreziqet dhe mënyrën e formimit të manganit në ujë dhe për këtë arsye shumë banorë nuk e dinë saktësisht pse uji nuk është i sigurt për konsum.
Një banore e një lagjeje ku po furnizohet me autobote, Azize Krasniqi, ka thënë për “KosovaPress”, se ajo nuk ka informata pse nuk mund të konsumohet uji në lagjen e saj, transmeton Klankosova.tv.
Krasniqi gjithashtu ka thënë se në kafenetë në këtë lagje po e shërbejnë ujin, për të cilin është apeluar që të mos përdoret, porse Krasniqi nuk e pi kur i shërbehet.
“Nuk po e dimë pse nuk pihet, për çka po thonë nuk pihet, tash një vit çdo vit lufta ka qenë e kemi pi ujin. Tash nuk po e dimë pse, qysh e kanë gjetur analizën për mos me e pi. Për vete nuk jam që e marrë ujin me pi në kafe, po (e shërbejnë), nuk e pi”, ka thënë ajo.
E banori tjetër, Lorent Kryeziu, ka shtuar se është i informuar që nuk bënë të përdoret uji, porse arsyeja nuk dihet.
“E dimë që nuk bënë me përdor këtë ujë. Aty nuk jemi të sigurt (në kafe)”, ka shtuar Kryeziu.
Një banorë tjetër, i cili nuk u prezantua për “”KosovaPress”, ka thënë se në Badoc janë të mbledhura një ton mbeturina dhe për këtë arsyeje uji është i ndotur.
“Krejt plehu i Mramorit shkon në Badoc, disa tona janë mbeturina atje. Keni me u befasuar sa shumë ka mbeturina edhe çka pimë na”, ka thënë ai.
Ekipi i “KosovaPress” ka vizituar dhe kafenetë në disa prej lagjeve ku është apeluar që të mos konsumohet uji nga ujësjellësi, porse të njëjtit nuk dëshiruan të prononcohen.
Ndërsa në qendër të Prishtinës, ku lagjet furnizohen nga Liqeni i Batllavës dhe se nuk ka ndonjë problem me ujin, qytetarët duke dashur të mbesin anonim, janë ankuar se uji nuk shërbehet me arsyetimin se nuk pihet. Megjithatë, ka edhe raste ku vet qytetarët nga paniku pyesin në kafene se a është uji i pijshëm.
Menaxheri i një biznesi në sheshin e Prishtinës, Mentor Berisha, ka thënë se klientët e pyesin se nga cili liqen furnizohen kur u shërbehet uji në gotë.
“Klientët shpesh pyesin me cilin jeni i lidhur Video:10:44 “Qendra furnizohet nga liqeni i Batllavës, për momentin jemi mirë. Nuk preferohet me pi ujin nga liqeni i Badocit. Klientët shpesh pyesin me cilin jeni i lidhur, kam pyetur ujësjellësin ka thënë se jemi në shesh me liqenin e Batllavës”, ka theksuar Berisha.
Ndërkohë, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, ka thënë se gjatë kësaj kohe kanë njoftuar në rrjete sociale por edhe në portale dhe televizione.
“Gjithçka që ne deklarojmë është bashkarisht me IKSHPK. Kemi lëshuar komunikatë të përbashkët, kemi postuar në web faqe dhe facebook. Po ashtu, brenda ditës vijnë mbi 6 televizione ku kemi qenë në lajmet kryesore, pra qe disa ditë kemi dhënë informata më shumë sesa ndonjë institucion lidhur me këtë çështje të ndjeshme”, tha ajo.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.
IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.
Zonat e prekura: Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga liqeni Badoc, Hajvalia, Veterniku, Lagja 038, Lagja Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fshati Preoc, Çagllavicë, Rr. Behar Begolli, Rr. Richard Holbrooke, Qendra tregtare Albi Mall, Rr. Shkupi, Rr. Holger Petersen, Rr. Malush Kosova, Lagja Qershia, Lagja NIC, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza, Rr. Enver Maloku, Lagja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, Rr.Ferat Dragaj, Rr. Hajrullah Abdullahu, Rr. Hilmi Rakovica, Rr. Vëllezërit Gërvalla, Rr. Afrim Zhitija, Rr. Armend Daci, Rr. Dervish Rozhaja, Rr. Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, Rr. Sali Nivica, Rr. Norbert Jokl, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, Rr. Mehmet Gradica, Rr. Hyzri Talla, Rr. Qamil Bala.
Çfarë është mangani?
Mangani është një mineral që gjendet natyrshëm në shkëmbinj, tokë, ujëra nëntokësore, ujëra sipërfaqësore dhe ushqime është një pjesë normale e dietës njerëzore. Ai ekziston në ujë si një mineral natyror i ujërave nëntokësore, por mund të jetë gjithashtu i pranishëm për shkak të burimeve të ndotjes. Në përqendrim më të madh se 0,05 miligramë për litër (mg/L), mangani mund të jetë me ngjyrë, erë ose shije të marrë në ujë. Sipas studimeve më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të rriturit që pinë ujë me nivele të larta mangani për një kohë të gjatë mund të kenë probleme me kujtesën, vëmendjen dhe aftësitë motorike. Foshnjat (foshnjat nën një vjeç) mund të kenë probleme të të mësuarit dhe sjelljes nëse pinë ujë me shumë mangan në të. Pirja e ujit me mangan mbi nivelin udhëzues mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tuaj, por të bëni banjë ose dush më të nuk është. Mangani në ujë mund të njollosë rrobat tuaja, të shkaktojë luspa në hidraulikun tuaj dhe ta bëjë ujin tuaj të duket me erë ose shije të keqe. Mangani gjithashtu mund të krijojë një njollë kafe në të zezë në tualetin, dushin, vaskën ose lavamanin tuaj.